Debati për Kopshtin Botanik, Koni për anulimin e vendimit, Veliaj akuza për vjedhje

Rektori i Universitetit të Tiranës Mynyr Koni përplaset me kryebashkiakun Erion Veliaj për Kopshtin Botanik. Rreth 15 hektarët  që qeveria vendosi t’ia kalojë bashkisë, për kreun e universitetit përbën shkelje e hapur e autonomisë dhe ligjit te arsimit të lartë. Në deklaratat e vazhdueshme Mynyr Koni thotë se nuk do të ndalet për të drejtën e universitetit.

“Dëshiroj të theksoj me forcë se marrja e këtij vendimi është në shkelje të hapur të autonomisë së Universitetit të Tiranës dhe në kundërshtim të plotë me ligjin e arsimit të lartë”, thuhet në deklaratën e tij për shtyp.

Erion Veliaj ka treguar arsyet e pronësisë së re të Kopshtit Botanik.  Ai ka akuzuar rektorin për përfshirje në skema korruptive deri dhe në vjedhjen e parave për hyrjen në këtë hapësirë.

Kopshti Botanik

 “Sot duhet te paguash 5 mijë lekë sa herë që hyhet në kopsht. Që Mynyri të marrë lekët e nuseve , këtu ka mbetur akademia shqiptare? Do të bëjmë një super Kopsht Botanik, ai nuk është monopol i Mynyrit”, akuzoi sot kryebashkiaku i Tiranës.  

Përplasjet për pronësinë e kopshtit botanik kanë përfshirë edhe opozitën. Deputeti Luciano Boçi akuzoi Edi Ramën dhe Erion Veliajn se po planifikojnë ndërtimet e radhës në hapësirën e Kopshtit Botanik.

“Veliaj grabit 15 hektarë të Kopshtit Botanik, me synimin për të pastruar fushën e ndërtimit me miliona euro, para të pista”, deklaroi ish-deputeti i PD-së.   

Në 17 korrik të 2019, Këshilli i Ministrave i  kaloi Kopshtin Botanik në pronësi të bashkisë  së Tiranës. Tashmë konflikti mes universitetit dhe bashkisë ka kaluar në shkallët e drejtësisë, ndërsa seanca e parë e gjyqit është shtyrë. 

Shkarkoni aplikacionin e A2