Edlira Gjoni: Ka një frenim nga ndërkombëtarët dhe shqiptarët për të uruar Albin Kurtin

Pedagogia dhe analistja Edlira Gjoni iu bashkua emisionit Dita Jonë në A2 ku foli për zhvillimet e fundit në Kosovë pas zgjedhjeve dhe ndryshimet që ka pësuar Albin Kurti nga koha kur ishte në opozitë deri në fitoren e zgjedhjeve. Sipas saj, ka një zbutje të deklaratave të liderit të “Vetëvendosje” për shumë tema të nxehta.

“Në vite shumë gjëra kanë ndryshuar dhe për Albinin. Me vite Albini sikur është formëzuar dhe kur ka qenë në opozitë. Në tre ditë pas zgjedhjeve ka zbutur dhe gjuhën e tij për sa i përket temave të nxehta si bashkimi ose ato që kanë qenë tematikat e tij më të forta, kanë filluar të marrin ngjyra më të zbutura. Është momenti që Albini do të provojë pushtetin dhe atëherë do ta shikojmë tamam. Për çështjen e reciprocitetit mendoj se Albini do të fitonte dhe disa pikë të tjera, jo për shkak të nacionalizimit, por për shkak të qëndrimit të tij konseguent që tregon që është njeri me integritet”, tha Gjoni.

Pedagogia Gjoni gjithashtu shtoi se shikon një hezitim të ndërkombëtarëve dhe shqiptarëve për të uruar Albin Kurtin për fitoren për shkak të qëndrimeve të tij të forta të mbajtura në vitet e fundit kur ka qenë në opozitë.

“Ka një heshtje të ndërkombëtarëve për ta uruar Albin dhe Vetëvendosjen për fitoren. Ka një frenim dhe nga ndërkombëtarët dhe shqiptarët për t’u ekzaltuar për fitoren e Albinit. Disa vite më parë mezi prisnim që ta shihnim Albinin në krye të Kosovës”, deklaroi Edlira Gjoni.

Shkarkoni aplikacionin e A2