Hapja e negociatave, Panariti: Problemin e shikoj më shumë te Franca sesa Holanda

Edmond Panariti, ish-ministër i Jashtëm i Shqipërisë, u shpreh në studion e Ditari në A2 se problemi i vërtetë për hapjen apo jo të negociatave të vendit tonë me Bashkimin Evropian është Franca.

“Problemin e shikoj më shumë te Franca sesa te Holanda, pasi Franca ka më shumë peshë në BE. Presidenti Macron e ka bërë të qartë që është kundër zgjerimit. Do ta konsideroja arritje të madhe nëse Macron ndryshon pozicion, por mendoj se mbi ne rëndon çështja e emigracionit. Francezët kanë debat në Parlament për emigracionin dhe mediat atje kanë nisur të stigmatizojnë shqiptarët”, deklaroi Panariti.

Sipas tij, “nuk është problemi nëse do të hapen negociatat, apo do të hapen me kushte apo jo, problemi është jemi apo jo të përgatitur për negociatat”.

“Ne kemi në ngërç sistemin gjyqësor, kemi Parlament të paplotë… e gjithë kjo situatë nuk kalon dot me një deklaratë të kryeministrit që nuk është problem yni, por probleme të brendshme të Holandës dhe Francës”, theksoi ish-ministri i Jashtëm.

Kur u pyet në lidhje me letrën që ministret e kabinetit qeveritar i dërguan Parlamentit holandez, ku i kërkonin hapjen e negociatave, Panariti tha: “Letra për Parlamentin me forca të errëta nuk është mënyra më e mirë, këto të kujtojnë mënyrën si stigmatizoheshin kundërshtarët në kohën e regjimit të kaluar. Megjithatë, çdo përpjekje që bëhet, duhet vlerësuar. Por, apeli duhet të jetë më me këmbë në tokë dhe më i mirëartikuluar”.

Shkarkoni aplikacionin e A2