Hetimet për Trump, Shtëpia e Bardhë refuzon bashkëpunimin

E çmendur dhe frikësuese. Kështu e cilëson një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë telefonatën mes Donald Trump dhe presidentit ukrainas, Volodimir Zelenski. Sipas një burimi të afërt të afërt me informatorin që hodhi dritë mbi rastin,  zyrtari i Shtëpisë së Bardhë ishte tronditur nga telefonata kur e kishte dëgjuar atë. Ndërkaq, administrata Trump, bëri të ditur se nuk do të bashkëpunojë me hetimet për “impeachment”.

Në një letër dërguar liderëve të demokratëve thuhet: “Hetimi juaj është i pavlefshëm nga pikëpamja kushtetuese dhe shkel të drejtat themelore. Në mënyrë që të përmbushë detyrat ndaj popullit amerikan, presidenti Donald Trump dhe administrata e tij nuk mundtë bëhen pjesë e këtyre hetime të njëanshme dhe jokushtetuese.”

Në letrën prej 8 faqesh, Këshilltari i Shtëpise së Bardhë, Pat Cipollone akuzon demokratët se ishin përpjekur të ndryshonin rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2016-të. Nuk vonoi përgjigjja e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi:“Presidenti po pengon Kongresin të mbledhë faktet që i nevojiten. Ky është një abuzim me pushtetin. Zoti President, ju nuk jeni mbi ligjin. Do të mbani përgjegjësi.”

Por shumica e ligjvënësve republikanë po e mbështesin Trump. Vendimi për mosbashkëpunim me hetimet, erdhi vetëm disa orë pasi Shtëpia e Bardhë bllokoi ambasadorin amerikan në BE, Gordon Sondland, të dëshmonte në tre komisione demokrate pas dyerve të mbyllura.

Shkarkoni aplikacionin e A2