“I uroj sukses heronjve tanë dhe i puth në ballë”, Erdogan urdhëron bombardimet kundër kurdëve – A2

“I uroj sukses heronjve tanë dhe i puth në ballë”, Erdogan urdhëron bombardimet kundër kurdëve

“I uroj sukses heronjve tanë që marrin pjesë në operacionin “Burimi i Paqes” dhe i puth të gjithë në ballë. Besoj se së bashku me Ushtrinë Kombëtare Siriane do të arrijmë sukses të madh kundër militantëve kurdë dhe ISIS-it në veri të Sirisë”.

Me këtë urdhër, Turqia ka nisur ofensivën ushtarake në Siri. Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan kërkon të spastrojë zonën veriore të Sirisë nga militantët kurdë, për të zhvendosur mbi 3 milionë refugjatë. Avionët e Ankarasë po zhvillojnë bombardime ajrore, ndërsa autoritetet theksojnë se në shenjestër nuk do të jetë popullsia civile.

“Së bashku me komandantët tanë, ne do të rrëzojmë korridorin e terrorit. Lufta jonë nuk është kundër civilëve dhe asnjë hap nuk do të ndërmerret kundër tyre”, tha Erdogan.

Operacioni erdhi pasi Presidenti Donald Trump tërhoqi në mënyrë të papritur ushtrinë amerikane nga zona kufitare me Turqinë. Ofensiva është kritikuar nga Bashkimi Europian. Jean-Claude Juncker, Presidenti i Komisionit Evropian, tha: “I bëj thirrje Turqisë dhe aktorëve të tjerë që të veprojnë me kujdes dhe të ndalojnë operacionet që po zhvillohen. Këto aksione ushtarake nuk çojnë drejt rezultateve të mira”.

Gjithashtu, edhe NATO i kërkoi Turqisë që të veprojë me kujdes, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg tha se ishte informuar për operacionin në Siri.

Shkarkoni aplikacionin e A2