Kuqezinjtë optimistë: Të përsërisim suksesin e Antalias

Në përfaqësuese janë optimistë për një rezultat pozitiv në Turqi. Mbrojtësi Frederik Veseli thekson se skuadra duhet të frymëzohet nga suksesin në miqësoren e dy viteve më parë ndërsa për futbollistin tjetër, Lorenc Trashi, Shqipëria duhet të shfrytëzoj në maksimum rastet që do t’i krijohen.

Ndaj Turiqsë pritet një Shqipëri mbrojtëse dhe ndoshta kjo është edhe një nga arsye përse trajneri Edy Reja përgjatë ditëve të grumbullimit ka zgjedhur të nxjerrë përpara mediave kryesisht futbollistë të repartit difensiv, qoftë edhe ata që ndoshta nuk do të kenë minuta si Veseli apo Lorenc Trashi të cilët shprehën opinionin e tyre për sfidën e rëndësishme.

“Ka shumë rëndësi kjo ndeshje sepse e dimë që ka mundësi të bëjmë një hap shumë para nëse fitojmë. Synojmë fitoren dhe pse jo të vazhdojmë në këtë edicion dhe të bëjmë diçka pozitive. Besoj e shpresoj të mundim Turqinë si në miqësore në Antalia. Nuk duhet të kemi presion por të bëjmë lojën tonë pasi kemi mundësi të fitojmë”, tha Veseli.

I lumtur që tashmë është vazhdimisht pjesë e grumbullimeve të kombëtares, mbrojtësi i Partizanit Lorenc Trashi mendon se kombëtarja duhet të shfrytëzojë ato pak mundësi që mund t’i krijohen për të marrë një rezultat pozitiv.

Prej ditës së enjte, përfaqësuesja shqiptare do të zhvillojë përgatitjet e fundit në tokën turke në kuadër të ndeshjes së 11 tetorit.

Shkarkoni aplikacionin e A2