Ish-deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi, akuzoi Bashkinë e Tiranës dhe Qeverinë se synojnë të ndërtojnë kulla në Kopshtin Botanik, prandaj, me një VKM “speciale”, po grabisin 15 hektarë tokë atje, pa konsultimin me Rektoratin, Senatin, dekanatin, asamblenë e personelit akademik e as këshillin studentor, si pronarët ligjorë të Kopshtit Botanik.
“Një vendim i qeverisë së Edi Ramës grabit 15 hektarë të Kopshtit Botanik me synimin për të pastruar aty në fushën e ndërtimit me miliona euro para të pista.
Ky vendim është vjedhja më e madhe që i bëhet sot Universitetit dhe është në kundërshtim të plotë me ligjin e Arsimit të Lartë dhe statutin e Universitetit te Tiranës, të cilët nuk lejojnë transferimin e pronësisë dhe ndryshimin e destinacionit të saj”, tha Boçi.
“Kjo vjedhje me VKM speciale, eliminon krejtësisht punën kërkimore shkencore në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe i jep një goditje fatale procesit akademik. Në vend që të rrisë financimin për Arsimin e Lartë dhe kërkimin shkencor, Edi Rama, përkundrazi, i heq të drejtën e pronësisë. Në vend që t’i ndihmojë për të ndërtuar laboratorë shkencorë për procesin mësimor, Rama i eliminon laboratorin më të madh natyror”, shtoi ai.