Reforma nga ekspertët? Dyrmishi: Propozimet tona rrisin demokracinë e partive

Arjan Dyrmishi, i cili drejton Qendrën për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, është një prej 4 përfaqësuesve të shoqërisë civile që iu drejtuan partive politike me propozime konkrete për Reformën Zgjedhore.

Kërkesa synon që reforma t’i lihet në dorë ekspertëve për zgjedhjen e sistemit elektoral dhe politika vetëm të legjitimojë produktin e tyre.

Dyrmishi thekson se asnjë sistem nuk është garanci për zgjedhje me standarde, megjithatë dy janë sistemet që propozon shoqëria civile: sistemi proporcional me lista të hapura shumemërore të partive me një zonë zgjedhore dhe sistemi miks me 100 zona në mazhoritar dhe 40 mandate proporcionale: “Ka mundësi që votuesi të zgjedhë edhe partinë politike, por edhe kandidatët brenda partisë. Kjo ndihmon demokracinë dhe konkurrencën e brendshme”.

Nga 1991 deri në 2017 Shqipëria ka eksperimentuar 7 sisteme elektorale. Në 1991, Shqipëria kishte sistem mazhoritar me shumicë absolute, për të kaluar në 1992 në sistemin miks, 100 zona në mazhoritar dhe 40 mandate si proporcional kombëtar. Në 1996 sistemi mbeti përsëri miks, por ndryshuan balancat: 115 zona në mazhoritar dhe 25 mandate si proporcional kombëtar.

Në 1997 kuota e proporcionalit u rrit në 40 mandate, ndërsa ajo e mazhoritarit nuk ndryshoi. Në 2001 vazhdoi sistemi miks, mazhoritari u reduktua në 100 zona, ndërsa proporcionali mbeti me 40 mandate.

Në 2005 u kalua nga sistemi me dy raunde në një të vetëm, ndërsa ndarja e kuotave mbeti e njëjtë. Në 2008 nisi të aplikohej sistemi që kemi edhe aktualisht, proporcional rajonal me 12 zona zgjedhore për 140 mandate.

Shkarkoni aplikacionin e A2