Sandër Lleshaj: Krimi shqiptar në Holandë, vetëm 0.02%

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj pati një takim me Komisionerin e BE për Sigurinë, Dimitris Avramopulos. Gjatë konferencës së përbashkët, Lleshaj nuk la pa përmendur shqetësimin për qëndrimin e Holandës për çeljen e negociatave.

Në prag të marrjes së një vendimi nga BE pro apo kundër çeljes se negociatave me Shqipërinë, Lleshaj ripërsëriti se krimi në Holandë është në nivele të papërfillshme, ndërsa numri i azilkërkuesve në Francë do të vijojë të ulet.

 “Nga pikëpamja statistikore, jemi në kufijtë e të papërfillshmes, jemi tek 0.02%. Në Francë, kemi patur një rënie të azilkërkuesve qysh nga viti 2015-2016, kur shumë shqiptarë iu bashkuan korridorit ballkanik të refugjatëve”, deklaroi ministri i Brendshëm shqiptar.  

Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes për sigurinë e Ballkanit Perëndimor,  komisioneri Avramopulos tha se u diskutuan disa nga prioritetet, siç janë ekstremizmi i dhunshëm, luftëtaret e huaj, pastrimi i parave por edhe trafiku i armeve.

Me 18 tetor mblidhen krerët e Shteteve të Bashkimit Evropian ku pritet përgjigja përfundimtare për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë.

Shkarkoni aplikacionin e A2