Deputetët gjermanë: Holanda nuk tha “Jo” të qartë për Shqipërinë, është e përçarë

Dy deputetë socialdemokratë gjermanë, Metin Hakverdi dhe Christian Petry vizitojnë Shqipërinë dhe Maqedoninë e veriut, pas vendimit të marrë nga parlamenti gjerman përhapjen e negociatave. Në një intervistë për “Deutsche Welle”, Hakverdi thotë se ajo e parlamentit holandez nuk ishte një “Jo” e qartë. Holanda, sipas tij, është e përçarë sa i përket vendimit. Por “drita jeshile” e Bundestagut gjerman, mund ta shtyjë drejt një Po-je me kushte.

“Unë nuk mendoj se ishte “Jo”. Të mërkurën, në Hagë, u mblodh “Komisioni për çështjet europiane” i parlamentit holandez. Ka qenë një takim këshillues, i përgatitur më parë. Nuk u dha “Jo” e qartë, por palët nuk kanë qenë të unifikuara në vendimin e tyre. Ministri holandez i Jashtëm, nuk ka dhënë përgjigje të qartë për qëndrimin që mban qeveria holandeze. Që do të thotë se duhet të presim çfarë vendimi do të marrë qeveria. Siç thashë, vendimi i marrë nga Gjermania mund të ndihmojë vendet e tjera, sepse kushtet e vëna mund t’i hapin rrugën Holandës që të marrë vendimin “Po” me kushte”, deklaroi deputeti gjerman, Metin Hakverdi.

Duke ju referuar vendimit të parlamentit holandez, deputeti gjerman tha se ai nuk është i detyrueshëm për qeverinë. Por pyetja qe shtrohet, thotë ai, është nëse qeveria do t’ia lejojë vetes të marrë një vendim të ndryshëm nga parlamenti.

“Në fakt, kjo është një gjë e vështirë edhe pse nga pikëpamja juridike mundësia ekziston. Këtu tek ju në rajon njerëzit kujtojnë se Holanda ka marrë vendim. Kjo nuk është e vërtetë. Holanda nuk ka marrë ende vendim, dhe vendimi që ka marrë nuk është absolut”, shtoi Hakveri.

Shkarkoni aplikacionin e A2