Digjet makina e kryetarit të Bashkisë së Vlorës

Fenomeni i djegieve të makinave në qytetin e Vlorës kësaj radhe ka prekur drejtëpërdrejt kryetarin e Bashkisë së qytetit bregdetar, Dritan Leli. Mjeti fuoristradë Range Rover që përdorej nga kryebashkiaku është gjetur i djegur plotësisht në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjte.

Mjeti, në momentin e djegies, ndodhej pranë banesës së njërit prej shoferëve të kryetarit të Bashkisë. Si pasojë e flakëve është djegur edhe një tjetër automjet që ndodhej pranë mjetit që u përfshi nga flakët.

Policia e Vlorës, e cila ka nisur hetimet për këtë ngjarje, për momentin, nuk jep shumë detaje rreth saj, ndonëse nuk ka dyshim se zjarrvënia mund të jetë e qëllimshme. Banorë të zonës janë shprehur jashtë kamerës se autorët e kësaj zjarrvënie dyshohet se kanë lëvizur me dy motorë, të cilët janë parë të lëvizin në zonë, pak para flakëve dhe pak pasi mjeti u përfshi nga flakët.

Zhvillimet më të fundit në qytetin e Vlorës si prishjet përgjatë bregdetit të Radhimës apo probleme të tjera për çështje pronësie, do të jenë një nga pistat e policisë për të zbardhur këtë ngjarje. Ndërkohë, pritet që edhe kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli të japë dëshminë e tij.

Shkarkoni aplikacionin e A2