Dita Botërore e Shikimit, OBSH: 2.2 miliardë njerëz me problem

2.2 miliardë njerëz në botë kanë probleme me shikimin ose me verbërinë dhe sipas raportit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 1 miliard e këtyre rasteve mund të ishin parandaluar apo së paku, adresuar.

Sipas raportit të parë të hartuar ndonjëherë nga OBSH për këtë çështje, më shumë se 1 miliard njerëz në botë kanë probleme të theksuara të shikimit për shkak të pamundësisë për t’u kujdesur  

“Sot mund të themi se 2.2 miliardë njerëz në mbarë botën kanë probleme me shikimin. Prej tyre, 1 miliard raste mund të ishin parandaluar ose së paku adresuar. Duhet të ndërhyjmë, diçka duhet bërë”, tha Alarcos Cieza, koordinatore në OBSH. 

Raporti, publikuar në Ditën Botërore të shikimit, zbulon se plakja e popullsisë, ndryshimi i ritmit dhe stilit të jetesës dhe aksesi i limituar në përkujdesin ndaj syve, kryesisht në zonat me të ardhura të ulëta apo të mesme, janë ndër shkaktarët kryesore të sëmundjeve të syve apo të rritjes së numrit të personave që kanë nevojë për syze.

“Për të adresuar nevojën për ata 1 miliard njerëz që sot nuk kanë akses për një kontroll të syve, që të blejnë syze optike apo në pamundësi për të realizuar operacione, kostoja totale është 14 miliardë dollarë”, shtoi Cieza.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 26.3 milionë njerëz në rajonin e Afrikës kanë një nga format e problemeve të shikimit, 20.4 milionë shohin shumë pak ndërsa 6 milionë janë pothuajse të verbër.

Problemet me shikimin në disa vende të botës lidhen me trashëgiminë familjare, një pjesë me pamundësinë për të zhvilluar kontrollet rutinë dhe në vendet e pazhvilluara me pamundësinë për kurim.  OBSH bën thirrje për kujdes maksimal për sytë, duke e nisur me më pak orë përpara televizorit apo telefonave celularë. 

Shkarkoni aplikacionin e A2