Ofensiva në Siri, BE dhe Kina dënojnë ndërhyrjen ushtarake të Turqisë

Bashkimi Europian dhe Kina dënuan operacionet ushtarake të Turqisë në Veri të Sirisë. Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker kërkoi që ofensiva të ndërpritet, ndërsa Ministria e Jashtme e Pekinit bëri thirrje për ruajtjen e integritetit të Sirisë.

“I bëj thirrje Turqisë dhe aktorëve të tjerë që të veprojnë me kujdes dhe të ndalojnë operacionet. Ky aksion ushtarak nuk sjell rezultat të mirë dhe këtë duhet tua sjellim në vëmendje miqve tanë turq. Plani i tyre përfshin krijimin e një zonë të sigurtë. Mos prisni që Bashkimi Europian të paguajë për të”, tha Jean-Claude Juncker, presidenti i Komisionit Europian.

“Kina beson se sovraniteti, pavarësia dhe integriteti territorial i Sirisë duhet të respektohet dhe ruhet. Palët e përfshira dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të bashkojnë duart për të gjetur një zgjidhje për çështjen Siriane dhe të shmangin ashpërsimin e situatës”, tha Geng Shuang, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës.

Një ditë më parë, Turqia nisi ofensivën në territorin e kontrolluar nga kurdët, aleatë të Shteteve të Bashkuara në Siri, por të cilët Ankaraja i konsideron si terroristë. Disa qyteza e fshatra u goditën nga sulmet ajrore dhe zjarri i artilerisë të mërkurën, duke detyruar shpërnguljen e mijëra qytetarëve. Kryqi i Kuq flet për të paktën 7 viktima, dy prej të cilëve fëmijë, ndërsa të paktën 19 te tjerë u plagosën rëndë. Sipas ushtrisë ishin shënjestruar 181 pozicione terroriste.

Shkarkoni aplikacionin e A2