Reforma Zgjedhore, Gjiknuri: Opozita jashtë Kuvendit do të ftohet sa herë të kemi mbledhje

Komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore ka nisur punën këtë të enjte. Por edhe pse Damian Gjiknuri, bashkëkryetar i komisionit tha se nuk do të diskutohen propozimet e opozitës jashtë Parlamentit, burime nga brenda mbledhjes bëjnë me dijë se ftesa për ta do të jetë gjithmonë e hapur.

“Çfarë propozimesh? Për Komisionin e Reformës nuk ka sjellë propozim”, tha Gjinkuri i pyetur për A2. Por brenda mbledhje me dyer të mbyllura, mësohet se ai ka thënë: “Opozitën jashtë Kuvendit do ta ftoj sa herë të ketë mbledhje”.

Po sipas burimeve, konfirmohet se ekspertëve të ndryshëm do t’u lihet një javë kohë për të sjellë propozime për çështje që lidhen me median, administratën publike, barazinë gjinore dhe për financimet e fushatave zgjedhore.

Një ditë më parë ishte po Gjiknuri që i bëri ftesë opozitës jashtë parlamentare që të ishte në mbledhjen e sotme, por refuzimi erdhi nga Oerd Bylykbashi, i cili në studion e A2 tha se opozita nuk do jetë pjesë e diskutimeve të një komisioni qe e quajti ilegjitim.

Gjatë mbledhjes pritet të përcaktohet edhe plani i punës për reformën, të cilën, Partia Socialiste është e vendosur ta ndajë në dy pjesë, rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe kërkesat e opozitës për ndryshimin e sistemit, sidomos ligjit të financave të partive politike.

Shkarkoni aplikacionin e A2