Reja feston ditëlindjen: E dua nesër dhuratën

Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Edy Reja ka festuar ditën e sotme 74-vjetorin. Sapo ekipi mbërriti në Stamboll dhe u akomodua në hotel, stafi kuqezi nxorri tortën dhe të gjithë, drejtues e futbollistë, nisën ta uronin me këngën tradicionale.

Reja u shfaq natyrshëm i kënaqur nga surpriza e organizuar, por përpara se të ndante tortën për ekipin, mbajti një fjalim duke mos e fshehur faktin se këtë të premte pret një dhuratë ndaj Turqisë.

“Jam në formë të mirë për moshën që kam. Sekreti është se gjithmonë kam ndenjur me të rinjtë sepse jam i ri në mendësi”, tha Reja përpara futbollistëve.

Ai shtoi më tej se ata i dhanë një kënaqësi të madhe me fitoren ndaj Islandës: “Jemi rritur dhe u ndjeva shumë mirë pas asaj ndeshjeje. Kjo gjë më lumturoi pa masë, tani pres edhe një dhuratë në ndeshjen me Turqinë. Jo për vete, por për ju. Është një rrugë e gjatë për të arritur majën, por jemi afër. Jemi në rrugën e duhur”.

Shkarkoni aplikacionin e A2