Hapja e negociatave, Rama: Nuk jam optimist për javën e ardhshme

Ka mbetur më pak se një javë nga takimi i 17-18 tetorit të Këshillit Europian, ku Shqipëria shpreson të marrë një “po” për hapjen e negociatave, por Kryeministri Rama duket se e ka të zymtë parashikimin. Në një intervistë për gazetën “The Irish Times”, kreu i Qeverisë pranon se nuk është optimist.

“Nuk ka shumë për të qenë optimistë me atë që po ndodh sot në Europë. Unë jam optimist për të ardhmen e vendit, por jo për atë që do të ndodhë javën e ardhshme”.

Edi Rama, “The Irish Times”

Rama nuk e lidh pesimizmin e tij me situatën e brendshme në Shqipëri apo gjendjen e institucioneve në vend. Problemin e gjente dinamikat mes vendeve anëtare të Unionit, duke e pikturuar popullin e tij –thotë gazeta irlandeze – një viktimë të mosmarrëveshjeve të BE-së.

“Ne jemi dëm kolateral. Nëse ka bombardime diku dhe një kopsht goditet, ne jemi kopshti”

Edi Rama, “The Irish Times”

Pakënaqësinë e tij me Europën Rama e shprehu edhe përmes një mesazhi në Twitter.

“Nëse Franz Kafka apo Ismail Kadareja do të kishin pasur mundësinë të ndiqnin nga brenda këtë procesin e vendimmarrjes së BE-së, për të thënë PO a JO për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, do të kishin parë se si realiteti e konkurron edhe fantazinë e tyre të pakonkurrueshme…”

Edi Rama, Twitter

Për “Irish Times” ka folur edhe kryedemokrati Basha, që ndonëse thotë se mbështet hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së, problemet i gjen te gjendja në vend.

“Shqipëria është ndoshta vendi i parë në historinë moderne pa një gjykatë supreme, pa një Gjykatë Kushtetuese, pa një prokuror të përgjithshëm, me një parlament me vende të paplotësuara dhe një kryeministër që vendos me dekret pa ndonjë kufi institucional të pushtetit të tij”

Lulzim Basha, “The Irish Times”

Bundestagu gjerman, ndonëse votoi pro hapjes së negociatave me Shqipërinë, kërkoi plotësimin e një serie kushtesh para se Tirana të ulet në tryezën e bisedimeve me Brukselin. Holanda, një tjetër vend skeptik, kërkon që Shqipëria të bëjë më shumë me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vendimtare do të jetë Franca që deri më tani ka heshtur, por mediat ndërkombëtare raportuan se Parisi kërkon ta shtyjë për vitin tjetër fatin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa kërkon fillimisht reformimin e vetë Unionit para se të vazhdohet me zgjerimin.

Shkarkoni aplikacionin e A2