Kosova fitoi… Zgjedhjet model dhe kthesa drejt ndryshimit

Posterat me kandidatët partiakë ishin kujtesa e vetme se Kosova po shkonte në zgjedhje, në prag të votimit të 6 tetorit… Nëpër rrugët e qeta, ndihej vetëm një fllad i lehtë ndryshimi, i cili ndërthurej shpesh me portretet e zhgënjyer, por ende plot shpresë, të qytetarëve të Kosovës.

Zgjedhjet e shpeshta që kanë rezultuar kryesisht në koalicione të brishta dhe qeveri jo funksionale kanë mbjellë zhgënjim tek qytetarët e Kosovës. E megjithatë, këtu në Prishtinën e 6 tetorit qytetarët duan të shpresojnë se këtë herë, ndoshta do të jetë momenti i ndryshimit, pika e kthesës. Mundësia që një grua të marrë përherë të parë postin e kryeministres por edhe ajo e një koalicionit mes dy forcave të opozitës, që shihen si më pak të përfshira në gjithçka ka shkuar keq deri më tani, duke sikur i ka dhënë një hov të ri pritshmërive të qytetarëve.

Zgjedhjet e parakohshme, të shkaktuara nga dorëheqja e Kryeministrit Ramush Haradinaj pas thirrjes në Hagë, mbyllën një tjetër kapitull ta pasuksesshëm qeverisje, atë mes koalicionit AAK, PDK dhe Nismës. Akuzat për korrupsion, përplasjet për dialogun me Serbinë e çështje të tjera, i kthyen zgjedhjet në spirancën e radhës… Në lojë ishte e ardhmja e vendit, dhe prania e shtuar e vëzhguesve ndërkombëtarë theksoi rëndësinë e votimit.

Ish-Kryeministri Ramush Haradinaj, në ditën e votimeve.

Kosova nuk pranoi të ngarkonte mbi shpatulla probleme të reja, duke i dhënë udhën një procesi të qetë zgjedhor. Qytetarë e politikanë ishin në të njëjtën frymë. Ambiciet për pushtet nuk mund ta sakrifikonin të ardhmen.

Dita e votimit nisi pa parashikime fitoreje apo sulme kundër rivaleve, por me thirrjet për përmbajtje e vote të përgjegjshme. Por, pak kilometra larg Prishtinës, në copëzën lënguese të zemrës së Kosovës zgjedhjet përbëjnë gjithmonë një sfidë.

Parregullsitë e kërcënimet që shënjuan zgjedhjet në këto zona, nuk e njollosën dot imazhin e qytetarisë që jehoi fuqishëm përtej kufijve. Kosova votoi, zgjodhi qetësisht dhe pranoi rezultatet që nuk vonuan as 15 orë. Natyrshmëria dhe ritmet e shpejta me të cilat rrodhi procesi e bënë atë të duket, gati surreal për standardet tona. Humbësit nuk kontestuan.

Ashtu siç ishte parashikuar edhe në sondazhe, gara mes dy partive opozitare, LDK dhe Vetëvendosje, ishte e fortë. Populli zgjodhi të largojë nga pushteti kastën e vjetër politike, duke i dhënë besimin opozitës më pak të përfshirë në gjithçka ka shkuar keq. Ndërsa në selitë e partive që deri më tani kanë mbajtur pushtetin mbretëroi qetësia, ne ato të LDK dhe Vetëvendosje dramaticiteti alternohej mes heshtjes dhe ovacioneve që shoqëronin përditësimin e rezultateve.

Nuk kaloi shumë para se mbështetësit e Vetëvendosjes të shpërthenin në festë, duke mbushur rrugët e Prishtinës me flamuj e thirrjet “Dita erdhi”. Kosova kërkoi ndryshimin dhe e fitoi, por mbi të gjitha fitoi veten.

Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, dyshja që do të drejtojë Kosovën.

Por këtë herë ngjizja e një qeverie të re, duket se i tejkaloi llogaritë matematikore mbi të cilat janë krijuar koalicionet e mëhershme, duke anuar nga themele më ideologjike. Ndërsa koalicioni i ri qeverisës nuk është siguruar ende, pas hezitimi fillestar, Vjosa Osmani iu përgjigj pozitivisht ftesës së Kurtit për të bashkuar forcat. Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike, dot marrin në dorë fatin e Kosovës për 4 vitet e ardhshme, me synimin për t’i dhënë zgjidhje disa prej plagëve më të rënda që kanë shënjuar vendin, si krimi, korrupsioni e mosmarrëveshjet për Serbinë.

Shkarkoni aplikacionin e A2