Ofensiva në Siri, SHBA rrit presionin ndaj Turqisë. Erdogan: Nuk ndalojmë!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës shtojnë presionin ndaj Turqisë për të ndaluar ofensivën ushtarake në zonat e kontrolluara nga kurdët në veri të Sirisë.

Sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper paralajmëroi për pasoja serioze, ndërsa ai i Thesarit, Steven Mnuchin përsëriti kërcënimin e sanksioneve.

“Kam biseduar me ministrin turk të Mbrojtjes për t’i shprehur kundërshtimin tonë të fortë për veprimet e Turqisë dhe theksova dëmin që po i bën kjo ofensivë marrëdhënieve tona bilaterale”, tha Esper.

Ndërsa Mnuchin u shpreh: “Këto janë sanksione shumë të fuqishme, shpresojmë që mos t’i përdorim. Por ne mund t’i japim fund ekonomisë së Turqisë nëse do të jetë e nevojshme”.

Këtyre paralajmërimeve iu kundërpërgjigj Presidenti Rexhep Taip Erdogan: “Ne nuk do ta ndalojmë kurrë këtë aksion që po zhvillojmë kundër militantëve kurdë. Nuk do të ndalojmë pavarësisht çfarë thonë të tjerët”.

Vendimi i Presidentit amerikan Donald Trump për të tërhequr ushtrinë nga ajo zonë dha dritën jeshile për inkursionin turk. Kreu i Shtëpisë së Bardhë u vetëofrua të ndërmjetësonte bisedimet mes Turqisë dhe kurdëve. Megjithatë, operacioni “Burimi i Paqes” vijon dhe numërohen dhjetra viktima mes civilëve dhe forcave ushtarake. Gjithashtu, mbi 100 mijë të tjerë kanë lënë shtëpitë e tyre nga frika e bombardimeve.

Shkarkoni aplikacionin e A2