Titujt e tokave bujqësore, Lame për A2: Rishikojmë projektligjin me vërejtjet e Venecias

Komisioni i Venecias miratoi dje opinionin final edhe për sa i përket projektligjit të prezantuar në Kuvend nga Qeveria në lidhje me titujt e tokave bujqësore.

Sipas opinionit te Komisionit, ligji ishte i paqartë në shumë nene, kryesisht në kompetencat e Qeverisë kundrejt tokave bujqësore. Mes vërejtjeve kryesore janë ato mbi sqarimin e statusit te të ashtuquajturave Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi.

Në Venecia, për të ndjekur punimet e Komisionit, ishte dhe Drejtori i Agjencisë së Kadastrës, Artan Lame, i cili tha se ligji do të rishikohet duke reflektuar vërejtjet e juristeve ndërkombëtarë, por nuk do të ndryshojë i gjithi. “Do të kalojë në komisione për t’u plotësuar, me faktin pozitiv që në maj ka hyrë në fuqi ligji për Kadastrën, që tregoi se sa gjëra rregulloi shkrirja e institucioneve”, tha Lame.

Ai shtoi se do të ketë edhe disa modifikime të tjera. “Do të preken edhe dy tre pika të tjera nga ligji i pronave, që nuk kanë të bëjnë fare me Venecian, pikërisht sepse duam të përfitojmë nga rasti që do t’i jepet dora e fundit ligjit”.

Lame nuk la pa kritikuar edhe opozitën, pasi sipas tij nuk mori pjesë në diskutimet për ligjin e pronave, edhe pse kjo çështje vazhdon të përmendet nga ndërkombëtarët dhe është një ndër kushtet më të rëndësishme në procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian. “Për fat të keq edhe ne kemi diskutuar dhe debatuar me veten, sepse opozita refuzoi të marrë pjesë. Ne po vazhdojmë të matemi me veten. Diskutuam midis nesh për ligjin, e bëmë. Për pika të veçanta të ligjit shkojmë po vetë dhe kërkojmë mendim më sipër”, tha Lame.

Shkarkoni aplikacionin e A2