Mbahet “Maratona e Tiranës”, Veliaj: Qyteti ka nevojë për ditë të tilla

Starton në rrugët e kryeqytetit edicioni i 4-t i “Maratonës së Tiranës”. Qindra vrapues profesionistë dhe amatorë marrin pjesë në këtë garë vrapimi të shndërruar në një traditë për kryeqytetin shqiptar.

Sipas organizatorëve në këtë maratonë marrin pjesë dhe shumë vrapues të huaj nga 42 vende të botës. Gjatë ditës së sotme do të zhvillohen dy gara ajo 10 kilometra dhe gjysmë maratona.

Policia e Shtetit ka marrë masa të forta sigurie për mbarëvajtjen e këtij evenimenti. Mbi 300 efektivë janë shpërndarë nëpër të gjitha rrugët e kryeqytetit ku do të kalojnë vrapuesit. Kësaj radhe itinerari është parashikuar brenda rrugëve të Tiranës dhe për këtë shkak është devijuar qarkullimi i mjeteve në disa akse nga ora 07:00 deri në 14:00.

Starti dhe finishi i maratonës do jetë sheshi “Skënderbej”. Një ditë më parë një garë e veçantë vrapimi u zhvillua dhe për fëmijët e shkollave 9-vjeçare.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mbajti një fjalim përshëndetës para startimit të këtij eventi ku uroi të gjithë të pranishmit dhe falënderoi të gjithë ata që u angazhuan për përgatitjet e kësaj maratone. Erion Veliaj u  shpreh se Tirana ka nevojë për ditë të tilla pa makina që i japin frymë qytetit.

Shkarkoni aplikacionin e A2