Akti normativ, rialokohen 3 miliardë lekë drejt disa projekteve

Ministria e Financave çon në Kuvend aktin normativ për rishikimin e buxhetit të këtij viti. Por ajo që është e pazakontë, krahasuar me rishikime që qeveri të ndryshme i kanë bërë buxhetit në vite, është se nuk ka ndërhyrje as në kahun e të ardhurave dhe as të shpenzimeve, duke ruajtur parametrat e deficitit buxhetor dhe borxhit publik, madje edhe objektivin e rritjes ekonomike prej 4.3% të buxhetit fillestar.

Qeveria propozon vetëm një rialokim fondesh prej rreth 3 miliardë lekësh nga projektet me ecuri të ngadaltë drejt projekteve që kanë pasur ritëm më të lartë. Kështu, Ministrisë së Infrastrukturës i kalojnë 1 miliardë lekë për avancimin e punimeve në By-Pass-in e Fierit dhe përfundimin e një krahu të rrugës; si dhe 370 milionë lekë për shpronësimet në objektet e Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Fondit Shqiptar të Zhvillimit i jepen 800 milionë lekë për avancimin e projekteve kryesore të programeve të zhvillimit. Ministria e Kulturës do të marrë shtesë 200 milionë lekë për rikonstruksionin dhe pajisjet e godinës së Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit; Ministria e Bujqësisë do të marrë 200 milionë lekë për mbrojtjen e argjinaturave lumore dhe sistemin e kanaleve ujitëse; 125 milionë lekë i jepen Ministrisë së Financave për blerjen e pajisjeve për “Polin e Drejtësisë”. Ministria e Shëndetësisë merr 90 milionë lekë për “Rikonstruksionin e godinës së Maternitetit të Vjetër”.

Ndërkohë që 1 miliardë lekë I kalojnë bashkisë së Tiranës për projektin e “Bulevardit Verior dhe Rehabilitimin e Lumit të Tiranës”.

Shkarkoni aplikacionin e A2