Dialog pa kushte, Conte: Qeveria, platformë dialogu konstruktiv me opozitën

Gjatë vizitës në Shqipëri, kryeministri italian Giusseppe Conte i tregoi Tiranës zyrtare se krizën politike duhet ta zgjidhin pa ndërmjetësim dhe pa kushte. Nga kryeministri Edi Rama, në konferencën e përbashkët për shtyp, kërkoi angazhimin e qeverisë.

‘Uroj që shumica, sa më parë t’i propozojë opozitës një platformë për një dialog më konstruktiv. Unë do ta theksoj edhe në takimet e tjera me krerët politikë. Duhet dialog konstruktiv dhe që të zhvillohet pa parakushte’, u shpreh kryeministri italian.

Duke treguar edhe njëherë mbështetjen për Shqipërinë në rrugën drejt unionit, kreu i qeverisë italiane tha se do të jetë të enjten dhe të premten në Bruksel personalisht, për të bërë mbrojtjen e këtij qëndrimi.  

‘Ne do të bëjmë çfarë është e mundur për të arritur fillimin formal të negociatave. Është e domosdoshme që të merren disa masa konkrete për nisjen e këtij rrugëtimi, më pas duhet një sërë reformash që duhet të nisen dhe përfundohen. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur të drejtën për negociatat, ne do të luftojmë për këtë gjë’’, shtoi Conte.

Nga ana e tij, kryeministri Rama falenderoi homologun për mbështetjen, por i qëndroi bindjes se Shqipëria e ka bërë pjesën e saj. 

“Ne nuk po kërkojmë një dhuratë apo lëmoshë por kërkojmë atë që na përket. Jo për të qenë anëtarë, por për të çelur këto të bekuara negociata. Dhe më tej për të treguar se e meritojmë”, tha kryeministri Rama.