Negociatat nën hijen e vetos, ministrat e Jashtëm të BE mblidhen në Luksemburg

Është ende në pikëpyetje qëndrimi i Bashkimit Evropian lidhur me negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Në tre takime të ambasadorëve të BE nuk ndryshuan vetoja franceze, që para zgjerimit kërkon reformimin e Unionit. Edhe skepticizmi i Holandës dhe Danimarkës nuk ka ndryshuar, të cilat kërkojnë që Shqipëria të bëjë më shumë me reformat. 

Takimi i ministrave të Jashtëm në Luksemburg nuk duket se do të arrijë të qartësojë gjërat. Ministrja e Jashtme franceze thotë se nuk ka ardhur për veto, por për të diskutuar.

As Stef Blok i Holandës nuk foli për vendim, por shfaqi rezerva për dy vendet: “Mendojmë se çdo vend duhet gjykuar bazuar në merita. Shqipëria duhet të tregojë më shumë progres. Maqedonia e Veriut duhet të miratojë ligjin për Prokurorinë e pavarur”.

Presioni gjerman për hapje të negociatave vazhdon. Ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, tha: “Qëndrimi i Gjermanisë është i qartë si kristali. Ne mbështesim hapjen e negociatave bazuar në votën e Bundestagut. BE duhet të marrë përgjegjësi për paqe e stabilitet në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe duhet të mbajmë premtimet”.

Finlanda, si kryesuesja e radhës e Bashkimit Evropian nuk do të paragjykojë vendimin që do të merret, duke theksuar përmes ministres së Jashtme se mbështet hapjen e negociatave: “Nuk dua të paragjykoj diskutimet sot. Kemi presidencën dhe mbështesim hapjen e negociatave, por duhet të shohim se çfarë vendosin vendet anëtare”.

Nëse ministrat e Jashtëm nuk dalin me një konkluzion të përbashkët, pritet që topi t’u kalojë shefave të tyre në takimin e krerëve të shteteve të Këshillit Europian, që do të mblidhen më 17-18 tetor në Bruksel.