Seks, drogë dhe “rock&roll”, publikohet autobiografia e Elton John

Seks, drogë dhe rock&roll. Autobiografia “Me” e Elton John i ka të gjitha për t’u shndërruar në një “best seller”. Këngëtari legjendë e muzikës pop, sot 72 vjeç, rrëfen jetën e tij, thjeshtë dhe bukur, ashtu siç e ka jetuar. Edhe pse talenti nuk i ka munguar kurrë, bashkë me të edhe dëshira për t’u bërë dikushi, Sir Elton John flet edhe për betejën me familjen, kryesisht të atin që kurrë nuk e pranoi të birin, apo edhe betejat me tabloidet, miqtë, madje edhe armiqtë.

Por Elton John thotë se për një gjë është penduar në jetë. “Pishmani më i madh në jetën time është droga. Por e gjithë ajo sjellje më ka sjellë këtu ku jam sot. E kam dashur jetën time ashtu siç e kam jetuar”, shprehet ai. Këngëtari pranon se e ka dashuruar marrëzisht kokainën, nga momenti i parë që e ka provuar por ajo ndryshoi personalitetin e tij.

Elton John flet edhe për marrëdhënien e tensionuar ndër vite me Michael Jackson, kur e quan atë të sëmurë mendor. “E kam njohur Michael që kur ka qenë 13 apo 14 vjeç. Ishte djaloshi më i këndshëm që mund të njihja. Por në një pikë të jetës së tij, ai u shkëput nga pjesa tjetër e botës dhe nga realiteti, njësoj siç bëri Elvis Presley. Michael ishte i sëmurë mendor dhe ishte shqetësuese ta kishe vërdallë”, tha John.

Sir Elton John shkruan gjatë në libër për emra të njohur të showbizit botëror, si Tina Turner, Princesha Diana, për njohjen me bashkëshortin David Furnish dhe faktin se është baba i dy fëmijëve. Autobiografia e John pritet t’i sigurojë këngëtarit të ardhura marramendëse ndërsa pritet që së shpejti 72-vjeçari të nisë edhe një tur për promovimin e saj. Libri nuk duhet humbur.

Shkarkoni aplikacionin e A2