Sondazh: Si ka ndryshuar figura e babait në familje ndër vite?
  • Më i pranishëm me fëmijët 31%
  • Më i zënë në punë 38%
  • Ndihmon në shtëpi 31%

Bode: Ekonomia shqiptare ka një sfidë shumë të madhe. Civici: Produktiviteti, pika më e dobët

Nga A2 CNN
16 Tetor 2019, 21:42 | Ekonomi
Bode: Ekonomia shqiptare ka një sfidë shumë të madhe.

Në 2013, kur ndodhi rotacioni politik dhe Rama do të fitonte mandatin e parë, ekonomia u bë “kali i betejës” në fushatën elektorale. Premtimet ishin për rritje ekonomike mbi 5%, për legalizime e shëndetësi falas, për krijimin e 300 mijë vendeve të reja të punës, për shlyerjen e borxheve ndaj biznesit.

6 vite më pas, ekonomia është vendosur sërish në fokus. Prapë në vështirësi, me një rritje të përgjysmuar, me detyrime të prapambetura, me ngadalësim të eksporteve, me gjallërim të emigracionit e mbi të gjitha, me një krizë politike që nuk i dihet fundit.

Por si ka performuar ekonomia në këto vite? Për këtë u fol këtë të mërkurë në “A2 Business Week”, ku të ftuar ishin Ridvan Bode, ish-ministër i Financave dhe Adrian Civici, ekspert për ekonominë.

Ish-ministri Bode u shpreh se sfida e madhe e ekonomisë shqiptare sot është të rikthehet në ritmet e parakrizës. “Ekonomia shqiptare e ka humbur dinamizmin e brendshëm dhe përthyen shumë shpejt zhvillimet që ndodhin në rajon dhe në botë. Ka humbur këtë që pas periudhës së krizës, nga 2009-ta. Duhet thënë se ky vit është problematik, me një ngadalësim të ekonomisë. Jemi në një situatë ku rënia ekonomike vërehet në të gjithë Eurozonën. Ekonomia shqiptare edhe në post krizë ka humbur kapacitetet për t’u rikthyer në ritmet e mëparshme. Ne jemi shumë larg, jemi në gjysmën e nivelit të parakrizës. Unë besoj që ekonomia shqiptare kishte mundësi të bënte reformimin strukturor të ekonomisë dhe për të ndihmuar biznesin. I vetmi sektor që u reformua është ai bankar. Sistemi prodhues mbeti në pritje të zhvillimeve që nuk mund të riktheheshin. Ekonomia shqiptare ka një sfidë shumë të madhe që të pretendojë të rikthehet në ritmet e parakrizës”, tha Ridvan Bode.

Ardian Civici është shprehur se produktiviteti i ulët është pika më e dobët e ekonomisë shqiptare. “Ne kemi një problem madhor me rritjen ekonomike. E marrim si një shifër të tërë. Së pari, duhet ta kuptojmë që rritja ekonomike ka ciklet e veta. Faktikisht, në 30 vitet e tranzicionit ne kemi kaluar në disa ciklet. Pasi të shpërthente kriza e 2008-ës, kur filluan efektet e krizës ne shkuam në 0.9 përqind në 2013, më pas filloi sërish rritja. Duke qenë një vend i varfër ne nuk mund të bëjmë politika anticiklike që zbusin efektin e ciklit, duke qenë vend i vogël. Ne jemi nën presionin e ciklit. Kemi produktivitetin më të ulët në rajon dhe kjo është pika më e dobët e ekonomisë shqiptare”, u shpreh Civici.

A2 CNN Livestream

Dita jonë