Çfarë kërkojnë ndërkombëtarët nga opozita? Këlliçi zbulon detyrat

Belind Këlliçi, kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, u shpreh në studion e Ditari në A2 se “9 kushtet e vendosura nga Bundestagu pasqyrojnë shqetësimet dhe kërkesat e opozitës”.

“Gjermania është violinë e parë në të gjitha politikat evropiane, por hapja e negociatave është vendim madhor që i përket të gjitha vendeve të BE-së. 9 kushtet e Bundestagut janë Bibla dhe Kurani i çdo politikani shqiptar. Po të shikoni kushtet e vendosura nga Bundestagu, pasqyrojnë shqetësimet e opozitës dhe kërkesat që kemi patur ne. Në vitin 2019, në vend që të kishim një proces zgjedhjesh model, ne patëm më të shëmtuarin në 30 Qershor”, deklaroi Këlliçi.

Sipas tij, “ka krizë të thellë politike” në vend, për të cilën përgjegjësi ka edhe Partia Demokratike.

“Kemi edhe ne përgjegjësinë tonë, por kemi vullnetin për të gjetur zgjidhje. Nga ana tjetër, kemi socialistët që mohojnë të ketë krizë dhe të ketë probleme. Hiqen sikur kemi një vend të begatë dhe një opozitë destruktive”, theksoi Këlliçi.

Kur u pyet se çfarë kërkojnë ndërkombëtarët nga opozita, Këlliçi u përgjigj se ata “kanë kërkuar respektimin dhe qasjen konstruktive për plotësimin e 9 kushteve të Bundestagut”.

“Rama fajëson këdo për mospranimin në BE, por faji bie fillimisht mbi qeverinë”, nënvizoi Këlliçi.

Shkarkoni aplikacionin e A2