Franca shuan optimizmin, Macron: Negociatat pas reformimit të BE

Kancelarja Angela Merkel është takuar këtë të martë me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, në kuadër të samitit franko-gjerman në Tuluzë, ku mes shumë çështjeve është diskutuar edhe mbi zgjerimin e unionit.

Në deklaratën e përbashkët për shtyp me Kancelaren Merkel, Macron zbehu shpresat për një vendim pozitiv për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut gjatë takimit të Këshillit të BE. Ai tha se duhet një marrëveshje mirëkuptimi mes të gjitha palëve, dhe kjo ende nuk është arritur.

“Europa është një shtëpi e madhe dhe e bukur në të cilën jetojmë së bashku. Kemi njerëz që duan të dalin nga kjo shtëpi dhe të tjerë që refuzojnë të hedhin para të tjera për të investuar në këtë shtëpi. Po ashtu siç ka nga ata që ikin, ne na duhet që të ftojmë në këtë shtëpi dhe miq të rinj. Jam dakord që një formë bonsensi duhet arritur për këtë çështje dhe nuk jemi ende totalisht në këtë pikë. Nuk mund të ndal së thëni se nuk jemi ende në atë pikë të marrëveshjes. Përshëndes kurajon dhe arritjet që janë bërë nga dy drejtuesit e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut ata kanë bërë një punë shumë të madhe në vendet e tyre në vitet e fundit. Dhe unë e njoh këtë gjë dhe dua të dërgoj një sinjal pozitiv”, u shpreh Macron.

Më tej, Kreu i Elysee deklaroi se e kupton rëndësinë strategjike që ka ky rajon për Evropën, por shtoi se duhet rishikuar procesi i zgjerimit përpara se të hidhen hapa të tjerë përpara.

“Dua të them, se ashtu si kancelarja, mendoj se ky rajon është me një rëndësi strategjike për Europën. Mendoj se kemi ende gjëra të tjera për të finalizuar, më pas të hapim negociatat. Mendoj që duhet ta reformojmë këtë procedurë që është aktualisht e pakthyeshme kemi dhe gjëra të çuditshme në këtë proces. Për shembull kemi lëvizjen e lirë përpara se të hapen negociatat. Kemi lëvizjen e lirë me Shqipërinë pa hapur negociatat dhe kjo është një lloj marrëdhënie e çuditshme. Në mirëbesim kemi dhënë lëvizjen e lirë dhe kemi mijëra e mijëra persona që kërkojnë azil nga ky vend”, tha Macron.

Ndërkohë, Kancelarja gjermane konfirmoi kërkesën e Francës për reformim të procesit të anëtarësimit, ndërsa theksoi se mes dy vendeve nuk ka dallime për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

“Midis Gjermanisë dhe Francës nuk ka dallime mbi synimin për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Kjo është shumë e rëndësishme nga pikëpamja gjeopolitike. Nga ana franceze ka një kërkesë që procesi i anëtarësimit të reformohet dhe që të mos jetë më automatik. Në parlamentin Gjerman kemi theksuar se e shohim se pse mund të hapen negociatat, vetëm kur të plotësohen disa kushte të caktuara. Dhe kjo është gjithmonë pyetja, çfarë duhet arritur për të hapur kapitullin e parë, por për këto kushte ka ende disa dallime dhe po diskutojmë për të arritur në një pozicion të përbashkët, jo vetëm mes Gjermanisë dhe Francës, por edhe me 26 vendet e tjera”, tha Merkel.