Kapet në Vlorë i dënuari me burgim të përjetshëm në Itali, ishte arratisur nga burgu

Një 38-vjeçar, i dënuar me burgim të përjetshëm në Itali për “vrasje”, “shfrytëzim prostitucioni” dhe “mbajtje dhe transportimi pa leje të armëve të zjarrit”, është arrestuar këtë të mërkurë në Vlorë, në një operacion në të cilin kanë marrë pjesë edhe Forcat Speciale RENEA.

Tesi, alias Tesilvan Basho, banues në Selenicë, Vlorë, kishte precedent të theksuar kriminal në Shqipëri, në fushën e krimeve kundër personit dhe në fushën e narkotikëve. Gjatë operacionit u kap edhe vëllai i tij për “Shtrëngim me dhunë për dhënie pasurie”, si dhe u sekuestruan arsenal armësh, municione, tritol e lëndë narkotike.

Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, Basho ka tentuar të reagojë dhe të largohet, por është neutralizuar. Në vitin 2016, Gjykata e Torinos e ka dënuar me burgim të përjetshëm, pasi më 24.01.2008, ka vrarë me armë zjarri dy shtetase që ushtronin prostitucion në qytetin e Torinos, Itali, njërën prej të cilave e shfrytëzonte vetë. Por në vitin 2016 ai kishte mundur të arratisej nga burgu i Rebibbia-s në Itali.

“Gjithashtu u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Rrethit Vlorë, i vitit 2019, e cila ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për shtetasin Tesi (Tesilvan) Basho, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Po gjatë operacionit të paradites së sotme, forcat e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe ndalimin edhe të shtetasit Satilno Basho, 33 vjeç, banues në Vlorë, vëllai i Tesi Bashos. Për këtë shtetas kishte urdhër-ndalimi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, i dyshuar për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”.

Të dy vëllezërit dyshohet se në janar të vitit 2017, nëpërmjet dhunës, kanë kërcënuar për dhënie pasurie rreth 100 000 euro një shtetas.

Gjithashtu, këta shtetas dyshohen edhe për kryerje të veprave të tjera penale në fushën e krimeve ndaj personit dhe të kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 armë zjarri Kallashnikov me 6 krehëra me fishekë, 1 armë zjarri pistoletë me dy krehëra, kallëp me lëndë eksplozive, jelek antiplumb, pajisje elektrike që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike, 10 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, 5 radio marrëse – dhënëse si të Policisë, 900 euro, si dhe dokumente të ndryshme”

Njoftimi i Policisë së Shtetit

Shkarkoni aplikacionin e A2