Kosova surpriza e Euro 2020? Një tjetër Kombëtare është një hap larg

Teemu Pukki feston golin e shënuar ndaj Armenisë mbrëmjen e së martës

Shqipëria dhe Islanda ishin dy Kombëtare surprizë në Euro 2016, duke marrë pjesë për herë të parë në një Kampionat Europian.

Tashmë që jemi pranë fundit të eliminatoreve të Euro 2020, disa Kombëtare e kanë prerë biletën, ndërsa disa të tjera janë shumë pranë. Kosova është një prej tyre, edhe pse fitorja e Çekisë ndaj Anglisë i uli shanset.

Megjithatë, edhe nëse nuk do të arrijnë të kualifikohen në grupin ku bëjnë pjesë në eliminatore, “Dardanët” mund ta sigurojnë biletën edhe me anë të Nations League, ku do të ndeshen në marsin e ardhshëm ndaj Maqedonisë, e më pas në finale, nëse do të kalojnë, me fituesin e çiftit Bjellorusi-Gjeorgji.

Por nuk është vetëm Kosova, përfaqësuesja e cila mund të jetë surprizë në Euro 2020, Finlanda është vetëm një pikë larg historisë në futbollin e këtij shteti.

Të udhëhequr nga ylli i Norwic, Teemu Pukki, Finlanda mori një fitore të madhe 3-0 ndaj Armenisë mbrëmjen e së martës, duke shkuar në kuotën e 15 pikëve, në një grup i cili kryesohet nga Italia me pikë të plota pas 8 ndeshjeve. Megjithatë, fitorja më e madhe për këtë kombëtare, ishte humbja e Bosnjës në Greqi, duke e çuar në 5 pikë tashmë diferencën nga Finlanda e vendit të dytë.

Në këtë grup kanë mbetur edhe dy ndeshje, e radhës për Finlandën është ndaj Liehtenshtejnit në fushën e saj dhe një fitore këtu do të ishte më e rëndësishmja e të gjitha kohërave për ta. Ndeshja e fundit është ndaj Greqisë, por ajo mund të ketë vlerë vetëm për statistika nëse do të arrihet fitorja me vendin e fundit në grup.

Shkarkoni aplikacionin e A2