Mesazhi shqetësues i Hamiltonit: Më vjen që të heq dorë nga gjithçka, t’i jap fund

Lewis Hamilton ka shqetësuar fansat e tij në të gjithë botën me anë të një mesazhi të mistershëm në Instagram.

Duke shprehur trishtimin e tij mbi ndryshimet klimaterike dhe neglizhencën e njerëzve për këtë çështje, piloti i F1 shkroi në rrjetin social fraza si “kam dëshirë që të heq dorë nga gjithçka”, “t’i jap fund çdo gjëje” dhe “deri tani jeta ime nuk ka pasur kuptim”.

5 herë kampioni i botës publikoi disa “story” në profilin e tij ku tregoi versionin apokaliptik që ka për botën.

“Përshëndetje, botë! Jam i trishtuar për planetin. Zhdukja e racës sonë po bëhet më e mundshme çdo ditë që kalon, ndërkohë që po përdorim me tepri burimet tona. Më trishton kur shikoj kaq shumë njerëz që nuk do t’ia dijë se çfarë po ndodh”, shkruan britaniku i Mercedesit, përpara se të shtojë se deri tani jeta e tij nuk ka pasur kuptim.

“Sinqerisht, kam dëshirë që të heq dorë nga gjithçka, t’i jap fund çdo gjëje. Pse të lodhesh kur njerëzve nuk i intereson? Do të largohem pak për të kthjelluar mendimet”, thekson Hamilton.

Është pikërisht pjesa e fundit e shkrimit të tij që ka shqetësuar fansat, të cilët kanë frikë se Hamilton mund të njoftojë tërheqjen e parakohshme nga Formula 1.

Shkarkoni aplikacionin e A2