Thatësira, OSHEE bleu 127 milionë euro energji në 9 muaj

Kriza energjetike i ka kushtuar ekonomisë shqiptare mbi 127 milionë euro vetëm për 9-muajt e parë të këtij viti. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka blerë në treg 1.8 TWh energji për të plotësuar kërkesën e konsumatorëve, ndërkohë që një vit më parë ishim një vend eksportues.

Kjo vlerë importi është e barabartë me rreth 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, por efekti negativ në rritjen ekonomike ka qenë edhe më i madh, veçanërisht gjatë pjesës së parë të vitit, kur u ble edhe më shumë energji.

Në Janar, kur prodhimi vendas përmbushte vetëm gjysmën e nevojës për konsum, OSHEE bleu rreth 35 milionë euro energji, me një çmim mesatar prej 89.8 eurosh për MWh, ndjeshëm më i lartë se muajt pasues.

Teksa parashikimet për prodhimin e energjisë elektrike pritet të qëndrojnë në këto nivele edhe vitet e ardhshme, nevoja për shtimin e kapaciteteve dhe diversifikimin e prodhimit larg hidrocentraleve bëhet edhe më e theksuar.

Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave tregojnë se aktualisht, 46% e energjisë që prodhohet në vend sigurohet nga hidrocentralet publike, kryesisht ato mbi kaskadën e lumit Drin, 53.6% nga impiantet privatë të dhënë me koncension në vite dhe 0.4% nga fotovoltaikët.

Shkarkoni aplikacionin e A2