Zaev në Bruksel: Bllokimi i negociatave do të kishte efekte negative për të gjithë rajonin

“Mos u bëni pengesë për ne, por heronjtë tanë”. Me këtë deklaratë, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev iu drejtua liderëve të Bashkimit Europian duke i bërë thirrje për një vendim pozitiv për çeljen e negociatave.

Në rast të ndonjë vendimi negativ në Samitin e Këshillit të BE-së, shefi i qeverisë së Shkupit paralajmëroi për pasoja serioze.

“Ne bëmë të pamundurën për Marrëveshjen e Prespës, na besoni se nuk ishte e lehtë. E bëmë sepse ishte kushti kryesor për ne dhe ne ia arritëm. Nëse nuk na i hapni negociatat do të ketë efekte shumë negative, jo vetëm në vend, por edhe në rajon, edhe Bashkimi Europian do të humbasë besueshmërinë e tij”.

Nga ana tjetër, edhe Eurokomisioneri për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Johannes Hahn, paralajmëroi efektet negative në rast të mos hapjes së negociatave të anëtarësimit.

“Nëse të gjitha përpjekjet që Maqedonia e Veriut ka bërë nuk shpërblehen, atëherë nuk do të ketë nxitje për Serbinë dhe Kosovën për të përfunduar dialogun me një zgjidhje të pranueshme për të dyja vendet. Pasi arsyeja për ta bërë këtë është perspektiva Europiane”, Johannes Hahn, eurokomisioner për Zgjerimin.

I pyetur nga gazetarja e A2, Klementina Cenkollari, lidhur me një veçimi të mundshëm të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në procesin e negociatave të anëtarisimit, Hahn u përgjigj kështu: “Vlerësimi ynë si Komision ishte shumë i qartë për të dyja vendet. Ia lë në dorë liderëve të BE për të gjetur një zgjidhje. Komisioni është gjithmonë i gatshëm të lehtësojë gjërat dhe për të gjetur një mënyrë pragmatike për të ecur përpara. Por synimi është i qartë për të dyja vendet.”

Shkarkoni aplikacionin e A2