Liderët europianë kanë nisur samitin dyditor në Bruksel. Përveç çështjes së zgjerimit, në mesin e pikave të rendit të ditës do të jenë largimi i Britanisë nga blloku (Brexit), Siria, ndryshimet klimatike, prioritetet dhe çështjet financiare të Komisionit të ri Europian që do të nisë punimet në nëntor.
Krerët e vendeve anëtare të unionit do të diskutojnë mbi përfundimet e arritura në mbledhjen e ministrave të jashtëm në Luksemburg që u zhvillua këtë të martë. Në këtë takim, ministrat nuk dolën me një vendim konkret mbi këtë çështje. Ndërsa, pritet të jetë dita e nesërme ajo e cila të saktësojë për një çelje të negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli është takuar me liderë të ndryshëm të Bashkimit Europian dhe të shteteve anëtarë gjatë Këshillit Europian, me të cilët ka diskutuar edhe për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Sassoli theksoi se kërkoi nga liderët që të mbajnë premtimet dhe të çelin negociatat për të dyja vendet. Ndjekim fjalën e tij.
“Kemi folur për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, që janë dy vende që kanë kërkuar çeljen e negociatave. E dimë që ka qëndrime të ndryshme për këtë, por qëndrimi ynë është që t’u japin dritën e gjelbër. Ne mendojmë se nëse Bashkimi Europian kërkon sakrifica dhe ndryshime, dhe nëse ato sakrifica dhe ndryshime implementohen, ne duhet të mbajmë fjalën e dhënë dhe premtimet”, u shpreh ai.