Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka në dorë fatet e grupit demokrat, i cili në variantin më të mirë ndryshon kryetar, ndahet në dy fraksione ose më të keq, shkrihet.
Në seancën e së enjtes në Kuvend, Ruçi është shprehur se nuk ka marrë asnjë njoftim nga grupi demokrat. Ndërkohë, nënkryetari i Kuvendit, Murrizi, ka thënë se vendimi për të shkarkuar Hajdarin si kryetare e grupit demokrat nuk është marrë.
“Riformatoni grupin parlamentar ju që keni sjellë shkresa. Unifikoni qëndrimet. Është e drejta juaj të zgjidhni kë të doni”, është shprehur Ruçi.
Një ditë më parë, Hajdari tha se do të vazhdojë të kryesojë grupin parlamentar demokrat, por akuzoi kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, si shkaktar i kësaj beteje të brendshme brenda grupit të saj. “Lulzim Basha po mundohet të sabotojë Reformën Zgjedhore. Është tentativë për të spostuar rolin tim”, deklaroi Hajdari.