Vrasja e teknikut të kondicionerëve, arrestohet xhaxhai i vëllezërve Kusi

Policia ka arrestuar Lulzim Kusin, xhaxhain e dy vëllezërve Albano dhe Griseldo Kusi, të cilët në muajin gusht kanë vrarë një teknikun e kondicionerëve, Indrit Çelaj. Më parë, Policia ka arrestuar edhe babain e tyre, Bujar Kusin.

Xhaxhai dyshohet se i ka ndihmuar të largohen dhe t’i shpëtojnë Policisë, ndërsa gjatë kontrollit të banesës së tij në Vaqar u gjetën një armë kallashnikov dhe municione.

Në shtator, policia shpalli në kërkim ndërkombëtar dy vëllezërit Kusi. Hetuesit kanë gjurmuar antenat telefonike të tyre në qytetin e Korçës dhe më pas asnjë shenjë e tyre. Dyshohet se të rinjtë janë larguar ilegalisht drejt Greqisë.

Indrit Çelaj u qëllua me plumb në kokë teksa ishte duke kryer punime në tualetin e katit të parë për montimin e kondicionerit. Dëshmitë i treguan prokurorisë se Griseldo Kusi i kërkoi llogari Çelajt për një vrimë që po hapte në mur, e më pas e qëlloi me pistoletë.

Nga hetimet doli se pas vrasjes viktima ishte qëlluar me sende të forta dhe disa herë në kokë, kjo për të inskenuar një rënie aksidentale të tij nga shkallët. Por, gjithçka u mbyll kur trupi i pajetë i 26-vjeçarit shkoi në Spitalin e Traumës dhe u fut në skaner.

Shkarkoni aplikacionin e A2