Emigrantët e paligjshëm, FRONTEX: Dyfishohet numri, hyjnë në Shqipëri nga Greqia

Refugjatët që gjenden në Greqi kanë zbuluar një itinerar tjetër drejt vendeve të Bashkimit Europian, atë që kalon përmes Shqipërisë.

Në një intervistë për Deutsche Welle, zëdhënësja e FRONTEX, Izabela Cooper, tha se numri i emigrantëve që përdorin kufirin Greqi-Shqipëri për kalim të paligjshëm, është dyfishuar, krahasuar me vitin e kaluar.

Fluksi më i madh ishte në qershor dhe shtator. “Që nga nisja e këtij operacioni, në muajin maj të këtij viti, janë regjistruar për kalim të paligjshëm të kufirit 3500 emigrantë, një shifër shumë domethënëse”, deklaroi Cooper.

Zyrtarja e Frontex zbulon se kombësitë kryesore të emigrantëve që vijnë nga Greqia në Shqipëri përfshijnë Irakun, Sirinë, Marokun, Pakistanin, Algjerinë dhe Palestinën. Sipas Cooper, pjesa më e madhe e tyre kalojnë fillimisht nga Turqia për në Greqi ndërsa më pas vendosin të kalojnë në shtete të tjera të BE-së për kushte më të mira ekonomike.

Ndërkohë që prej muajit maj, 50 oficerë policorë të Frontex asistojnë autoritetet shqiptare në përballjen e një sërë krimesh serioze ndërkufitare siç janë terrorizmi, trafikimi i qenieve njerëzore, trafikimi i drogës, trafikimi i automjeteve dhe falsifikimi i dokumenteve.

Shkarkoni aplikacionin e A2