Largimi i shqiptarëve, 40 mijë çdo vit, ekspertët: Reforma urgjente

Rreth 40 mijë shqiptarë marrin çdo vit vendimin për t’u larguar nga vendi. Një shifër e cilësuar dramatike nga ekspertët, e krahasueshme me zbrazjen e një qyteti në përmasat e Kavajës apo Divjakës. Mbi gjysma e tyre rezultojnë si azilkërkues në Europë, gra, burra e fëmijë të mitur që rendin pas një jete më të mirë.

Por sa i lehtë apo i vështirë është për një familje vendimi final për të marrë rrugën? Sipas sociologut Gëzim Tushi, përballja e realitetit shqiptar me atë europian ndikon në favor të emigrimit.

“Duke parë që nuk ka rrugëdalje meqenëse papunësia e fëmijëve zgjat, niveli i trajtimit sipas arsimit nuk është adekuat, kur shikon që trajtohen njerëz jashtë sistemit të meritës, atëherë familja dorëzohet dhe të thotë “largohu nga ky vend”, deklaroi sociologu Tushi.

Plakja e popullsisë, rritja e kostove për pensionet e shëndetësinë dhe tkurrja e fuqisë punëtore janë vetëm disa nga efektet negative që çdo largim krijon për ata që mbeten. Për këtë arsye ekspertët apelojnë për nisjen e reformave të menjëhershme

“Përveç aspektit psikologjik, ne kemi nevojë të shpejtojmë reformat në politikë, ekonomi, në arsim. Kemi nevojë të përmirësojmë sistemin shëndetësor akoma më shumë, sistemin e jetës urbane. Të ulim nivelin e krimit, të rregullojmë marrëdhëniet sociale, të përmirësojmë situatën në familje”, shtoi sociologu i njohur.

Sipas Tushit, palët politike duhet të bëhen bashkë me ekspertë nga të gjitha fushat, për të krijuar një strategji kombëtare për ndaljen e emigracionit. Një plan veprimi shihet si një nevojë urgjente, në kushtet kur për çdo orë që kalon 4 shqiptarë lënë vendin. 

Shkarkoni aplikacionin e A2