Macron: Para se të vendosim për zgjerim, duhet të reformojmë veten

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron deklaroi në konferencë për shtyp se para se Bashkimi Evropian të vendosë për zgjerimin, duhet të reformojë së pari veten.

“Janë bërë përparime, por ende nuk është bërë e gjithë puna e kërkuar. Ne si BE duhet të qartësojmë vizionin tonë për zgjerimin e Bashkimit Evropian. Para se të vendosim për zgjerim, duhet të reformojmë veten. Nuk jemi gati për këtë ritëm zgjerimi”, deklaroi Macron.

“Nuk e ndjejmë ende veten gati për të hapur derën, pavarësisht se e dimë që kishte shpresë të madhe te vendet që kanë bërë përparime. Popujt nuk janë fajtorë, por ne kërkojmë reforma konkrete”, shtoi Macron.

Sipas Macron, nëse hapet dera tani dhe pastaj vendoset që të ndryshohen rregullat, vendet e reja të cilave u është hapur dera do të kërkojnë llogari pse po ndryshohen këto rregulla.

Kur u pyet se çfarë mesazhi po u jepet shqiptarëve me mosçeljen e negociatave, Macron u përgjigj: “Kemi një problem me azilantët shqiptarë dhe nuk kam si u shpjegoj qytetarëve të mi që po hapim negociatat me një vend ku kemi probleme me këtë çështje. Mbaj përgjegjësi të plotë për qëndrimin tim”.

Shkarkoni aplikacionin e A2