Nuk do të hapen negociatat, Merkel: Më vjen shumë keq, do t’i rikthehemi çështjes

Merkel negociatat 1100x620

Shtyhet për në pranverë diskutimi për të ardhmen europiane të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në mbyllje të samitit të krerëve të shteteve europiane, Kancelarja gjermane Angela Merkel pasi shprehu keqardhje për mungesën e një “po”-je për hapjen e negociatave me këto dy vende, deklaroi se çështja e zgjerimit do të rimerret gjatë presidencës së Kroacisë, në samitin për Ballkanin Perëndimor që mbahet në Zagreb gjatë pranverës.

“Kur diskutuam hapjen e fatkeqësisht nuk ishim në gjendje të arrinim një marrëveshje me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Më vjen shumë keq për këtë vendim. Pozicioni i Gjermanisë ka qenë për të nisur bisedimet, nëse do të përmbusheshin disa kushte, por nuk arritëm unanimitet mbi këtë çështje”, tha Merkel.

“Nuk po ndaj një sekret me ju kur them se ishin 3 shtete kundër çeljes së negociatave të anëtarësimit, Franca, Holanda dhe Danimarka. Diskutuam dhe për pasojat e këtij vendimi. Sigurisht do të punojmë shumë për të qëndruar në kontakt me këto dy vende në mënyrë që ta reduktojmë sa me shumë impaktin. Por do të ketë zhgënjim. Bisedova në telefon me Zoran Zaev, kryeministrin e Maqedonisë së Veriut. Ne do t’i rikthehemi sërish kësaj çështjeje gjatë presidencës së Kroacisë në samitin për Ballkanin Perëndimor që mbahet në Zagreb gjate pranverës”.

“Duhet të pranojmë që Maqedonia ka bërë shumë me çështjen e emrit. Edhe Shqipëria ka bërë shumë, merrni për shembull çështjen e vetting-ut. Por nuk arritëm të kishim vendim unanim për përparimet që kanë bërë. Kur sheh hartën, e kupton se sa e rëndësishme është që këto vende të bëhen pjesë e Bashkimit Europian”, shtoi Kancelarja.

E pyetur se pse ishte kundër ndarjes së Shqipërisë dhe Maqedonisë, Kancelarja Merkel tha se nuk kishte shumë shtete që ishin pro këtij vendimi. “Kur sheh strukturën e popullatave në të dy vendeve, sheh se të dy vendet janë të lidhura. Ka shumë shqiptarë që jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë pak a shumë në të njëjtin nivel, nëse heq mënjanë çështjen e emrit. Të dy shtetet kanë bërë përparime të mëdha. Procesi i vetting-ut në Shqipëri po vazhdon prej disa kohësh, ndërsa Maqedonia e Veriut ka bërë një marrëveshje të rëndësishme për ndryshimin e emrit. Unë mendova se do të ishte më e zgjuar nga ana jonë që t’i mbanim shtetet bashkë”, u shpreh Merkel.