SPAK dhe Prokurori i Përgjithshëm | Manja: Brenda vitit; Ibrahimi: Faji i vetting-ut

Dhjetori, që shënon dyvjetorin e zgjedhjes së Arta Markut në detyrën e përkohshme, është afati i fundit që Kuvendi i ka vendosur Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të zgjedhur Prokurorin e ri të Përgjithshëm, këtë herë me mandate 7-vjeçar.

KLP duhet të sjellë listat me kandidatët të renditur sipas pikëve, prej nga ku me shumicë votash duhet të zgjidhet drejtuesi i ri i organit të akuzës. Dy muaj kohë iu la dhe për ngritjen e SPAK.

“Mirë bëni që nuk jepni afate, por Shqipëria në mbyllje të këtij viti duhet të ketë edhe Prokuror të Përgjithshëm me mandat kushtetues, por duhet të ketë edhe SPAK”, tha kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.

Por KLP fajëson vetting-un për vonesat në këto dy procese. “Objektivisht, koha që ata marrin është arsyeja e parë dhe e fundit se pse ne sot nuk kemi Prokurorinë e Posaçme dhe listën e kandidatëve për Prokurorin e Përgjithshëm”, tha Gent Ibrahimi.

Por ndërsa për Prokurorin e Përgjithshëm, pritet vendimi i Gjykatës për kandidatin që ankimoi skualifikimin, për SPAK, ndryshe nga çfarë pretendohet sipas mazhorancës mund të ishte gjetur zgjidhja.

“Kemi goxha prokurorë që kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit dhe mund të shfrytëzohet hapësira e ligjit ose për caktim të përkohshëm, ose lëvizje paralele”, tha Manja.

Në prag të buxhetit për vitin 2020, KLP kërkoi më shumë para dhe njerëz për mirëfunksionimin.

Shkarkoni aplikacionin e A2