Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

“Veto kundër nesh është e lehtë, kemi shumë probleme”, Krasniqi: Politikanët tanë, të gëzuar që nuk hapen negociatat

Nga A2 CNN
18 Tetor 2019, 13:53 | Politikë
“Veto kundër nesh është e lehtë, kemi shumë

Analisti i A2, Afrim Krasniqi u shpreh i bindur se nëse nuk ka vendimmarrje këto ditë për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë, gjithçka do të ngelet për majin e vitit të ardhshëm.

“Nëse nuk ka vendimmarrje këto ditë, do të ngelet të presim muajin maj të vitit të ardhshëm. Problemi është se ajo që ndodhi na bëri të kuptojmë se janë rritur standardet për vendet kandidate dhe meraku im është se ne nuk do të arrijmë t’i kapim standardet as në maj dhe do të ngelemi në pritje, duke krijuar iluzione të paqena apo aleanca që nuk funksionojnë”, deklaroi Krasniqi.

Sipas analistit, “duhet t’i marrim me seriozitet pretendimet e Francës dhe të marrim masa që Shqipëria të bëhet e banueshme nga shqiptarët”, pasi “jemi një vend me aq shumë probleme sa çdo vend që dëshiron të përdorë veton, e ka lehtë të gjejë argument kundër nesh”.

Më tej, Krasniqi theksoi se Shqipëria është ajo që penalizoi edhe Maqedoninë e Veriut për hapjen e negociatave.

“Rasti i Maqedonisë së Veriut është i paimagjinueshëm, pasi iu kërkua marrëveshja për emrin me Greqinë dhe iu tha që automatikisht do të hapeshin negociatat me këtë marrëveshje, por nuk u mbajt premtimi. Kjo do të krijojë efekt domino pasi në të ardhmen Kosova, Mali i Zi apo Bosnja nuk do të bëjnë më marrëveshje kur nuk ka shpërblim. Maqedonia po penalizohet nga Shqipëria, pasi ata janë përpara nesh për shkak të marrëveshjes. Ne kemi një listë të gjatë kërkesash dhe jemi i vetmi vend që nuk ka bërë zgjedhje. Jemi vend në krizë, kemi problemin te vetja. Unë besoj se liderët tanë politikë janë të gëzuar që nuk marrin ftesën për hapjen e negociatave, pasi nuk kanë monitorim. Do të kishim më shumë detyra shtëpie nëse do të hapeshin”, shpjegoi Krasniqi.

Sipas tij, në një vend normal, “një JO do të ishte goditje e madhe ndaj kryeministrit dhe mazhorancës”, por “në kushtet e Shqipërisë, ku opozita është jashtë sistemit, të dyja palët do ta përdorin si kalë beteje”.

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani