Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

6 gola në Olympico, Lazio nuk dorëzohet ndaj Atalantës

Nga A2 CNN
19 Tetor 2019, 17:11 | Futboll
6 gola në Olympico, Lazio nuk dorëzohet ndaj Atalantës

Një ndeshje spektakolare ishte ajo e hapjes së javës së 8 të kampionatit italian të futbollit, ku ekipi i Lazios priti në shtëpi Atalantën.

Plot 6 gola u shënuan në këtë ndeshje që i pati të gjitha dhe në fund përfundoi në barazim. Atalanta ishte më e qartë në pjesën e parë të takimit, ku e hapi festivalin e golave me Muriel në minutën e 23. Ishte pikërisht kolumbiani ai që dyfishoi rezultatin 5 minuta më vonë.

Pjesa e parë e takimit u mbyll 0-3 në favor të miqve me mbrojtjen e bardhekaltërve që “fuste ujë” nga të gjitha anët. Duhet thënë që portieri i kombëtares sonë Thoma Strakosha ishte pothuajse pa faj në të treja rastet e golave. Me këtë rezultat dukej se pjesa e dytë do të ishte thjesht një formalitet.

Por pikërisht, ndeshje si kjo e sotmja, janë arsyet pse futbolli vijon të jetë një nga sportet më të ndjekur dhe më spektakolarë. Në minutën e 69 vendasit fitojnë një penallti e cila u shndërrua në gol nga Imobile. Pa u vendosur ende në lojë topi, vendasit e rrëmbyen atë dhe shënuan sërish në portën e Atalantës një minutë më vonë.

Pjesa e mbetur e takimit ishte një luftë e vërtetë sportive me Lazion që u hodh e gjitha në sulm për të mos dalë e humbur nga kjo ndeshje dhe Atalanta që kërkonte një gol të katërt për të siguruar tre pikët. Në minutën e 93 përpjekjet e vendasve u shpërblyen me Imobile që shënoi një gol të bukur dhe i dha një pikë të vlefshme ekipit të tij.

A2 CNN Livestream

Dita jonë