Protestoi për klimën, arrestohet për herë të dytë aktorja amerikane

Mosha nuk ka rëndësi kur bëhet fjalë për të ngritur zërin për çështje të rëndësishme që shqetësojnë njerëzimin, siç është ajo e ndryshimeve klimatike.

Aktorja e njohur Jane Fonda është arrestuar për herë të dytë brenda një jave ndërsa protestonte në Capitol Hill për çështjen e klimës. Pavarësisht se në moshën 81 vjeçare, Fonda është kthyer në një simbol të vërtetë rezistence. “Greta Thunberg, më la përshtypje të mëdha”, deklaroi aktorja e cila rreshtohet gjithmonë e para në këto protesta.

Jane Fonda dhe 17 persona të tjerë u arrestuan në protestën përballë Capitol Hill nën akuzën e protestës së paligjshme. Ajo deklaroi përpara mediave se është e gatshme të arrestohet çdo të premte, ditë kjo e zgjedhur dhe nga adoleshentja Greta Thunberg për të protestuar përpara parlamentit suedez.

“Kam qenë një aktiviste për klimën prej një kohë të gjatë dhe prej vitesh kam marrë vendime në mbrojtje të saj. Drejtoj një makinë elektrike, ricikloj mbeturinat, evitoj plastikën dhe ha më pak mish. Por jam e vetëdijshme se këto zgjedhje individuale nuk mund ta ndryshojnë me shpejtësinë e duhur atë që po ndodh me planetin tonë”, u shpreh aktorja e njohur.

Shkarkoni aplikacionin e A2