“Shpëtimi” i Dinamos vjen nga Italia?!

Ky duhej të ishte viti i Dinamos. Në opinion u krijua ideja se tashmë kishte ardhur momenti që klubi 18 herë kampion i Shqipërisë të rikthehej mes më të mirëve. Por, asgjë nuk shkoi sipas planeve. Dinamo e këtij sezoni është në momentin më të keq të mundshëm.

Një skuadër e ndërtuar vetëm pak ditë përpara startit të kampionatit. Igli Allmuça u largua nga stoli, futbollistët luajnë pa u paguar dhe për hir të realitetit cilësia e skuadrës nuk është në nivelet e duhura. Pak shpresë ka ardhur nga lëvizjet e fundit, me afrimin e një kompanie italiane, e cila pritet të jetë në rolin e sponsorit deri në blerjen e klubit, me në krye Marco Pontrellin.

Në pritje të finalizimit të marrëveshjes, ish-Presidenti i Triestinës zbulon objektivat, por komenton edhe skepticizmin që ekziston rreth figurës së tij, prej falimentimit të klubit italian në shkurt të vitit 2016. 

“Për momentin, nuk ka asgjë zyrtare. Nuk jemi as njëri dhe as tjetri. Erdha të shoh ndeshjen. Pamë skuadrën që ishte më përpara, lojtarët janë ata që janë. Tani duhet të punojmë për të ndërtuar skuadrën e duhur, por Dinamo nuk luajti keq. Nevojiten lojtarë të rinj, pasi kjo skuadër është. Edhe pse disa nga këta lojtarë janë të zotët, duhet të presim merkaton e janarit për të ndërtuar ekipin”, shprehet Pontrelli.

A2: Kur mendoni që mund të mbyllet marrëveshja?

Pontrelli: Shpresojmë që marrëveshja të mbyllet në ditët në vazhdim, në mënyrë që të nisim punën zyrtarisht. Gjithsesi, unë jetoj në Shqipëri. Bashkëshortja ime është shqiptare dhe fëmijët janë gjysmë shqiptarë. Do të ishte kënaqësi të ndihmoja këtë klub historik.

A2: Rreth jush ekziston skepticizëm, edhe sepse ishit Presidenti i Triestinës në periudhën kur klubi falimentoi. Çfarë garancie i ofroni Dinamos dhe tifozëve? 

Pontrelli: Kur e bleva Triestinën, klubi kishte 800 mijë euro borxhe. Kur u shpall falimentimi i atij klubi, borxhet ishin vetëm 400 mijë. Nuk mund të them më tepër, bëra detyrën deri në fund, por klubi falimentoi prej borxheve të të tjerëve. Edhe sot jam në gjyq në Komunitetin Europian, sepse u bë diçka e pandershme. Nuk dëshiroj të flas më për Triestinën, por për Dinamon. Jo me fjalë, por me fakte. Do të flasim në janar, pa thënë fjalë që i merr era. Tifozët duhet të kenë kënaqësinë që Dinamo të kthehet ajo që ka qenë. Ky klub ka nevojë për shumë punë.

Me afrimin e investitorëve të rinj, prej disa ditësh trajner është emëruar Mauro Manzoni. Personazh me një të kaluar si futbollist te Lazio, me 14 ndeshje të luajtura në Serinë A, por pa një karrierë të spikatur në trajning. 61-vjeçari mungoi në stol në ndeshjen e parë kundër Erzenit, për shkak të vonesave me licencimin, i zëvendësuar nga trajneri i të rinjve, Olsi Uku. Për Manzonin, detyrat janë përforcimi i skuadrës, shpëtimi i këtij sezoni dhe objektivi afatgjatë i rikthimit në elitë. 

“Për fat të keq, skuadra është në rindërtim. Kemi bërë vetëm tre stërvitje dhe ende nuk i njoh mirë futbollistët. Disa nuk kanë përgatitje, sepse ekipi u grumbullua me vonesë. Kjo e bën gjithçka të vështirë. Kemi shumë punë dhe shpresojmë të përmirësohemi me kalimin e kohës. Nuk ka shumë vend për fjalë. Duhet të ndërhyjmë, të paktën deri në janar. Më pas, me hapjen e merkatos mund të bëjmë diçka më tepër. Por, duhet të ndërhyjmë sepse jemi mbrapa në renditje dhe nuk kemi shumë kohë. Duhet vetëm të punojmë, në futboll është e kotë që të flasësh, duhet vetëm të punosh dhe të shpresojmë se me kalimin e kohës do të përmirësohemi. Objektivi ynë është të ngjitemi në elitën efutbollit shqiptar. Natyrisht, nevojitet shumë kohë, por është e drejtë që kjo të ndodhë sepse Dinamo është një skuadër historike, që ka fituar shumë trofe. Është mëkat që ky emër të zhduket apo të qëndrojë në kategoritë e ulëta, sepse meriton më tepër. Ky është projekti, por ndërkohë këtë vit duhet të evitojmë rënien nga kategoria dhe të shkojmë sa më lart që të mundemi”, deklaroi Manzoni.

Shkarkoni aplikacionin e A2