Kryemadhi: 9 kushtet e Bundestagut janë agjenda më e qartë për klasën politike

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, pas mbledhjes me frontin e bashkuar opozitar deklaroi për mediat se “9 kushtet e Bundestagut gjerman janë axhenda më e qartë dhe më e kthjellët për klasën politike shqiptare”.

“Ajo që duhet të theksojmë dhe që është shumë e vërtetë është që shkaktari i gjithë kësaj situate të degraduar dhe që po largon çdo ditë e më shumë vendin nga BE është kryeministri Rama, i cili është ai që duhet vendosur përballë gjithë përgjegjësisë. Kushtet e Bundestagut e kanë bërë shumë të qartë, Maqedonia ishte shteti i cili u ndëshkua për shkak të mosecjes së reformave të qeverisë shqiptare, ku një nga pikat kryesore janë 9 kushtet e Bundestagut dhe pjesa tjetër është moslëvizja dhe mosreagimi i qeverisë shqiptare për kushtet e një viti të mëparshëm të vendosura përsëri nga BE-ja. Ajo që dua t’ju them dhe që është shumë e rëndësishme është fakti se ne kemi bërë hapin e parë ku kemi propozimet tona për sa i përket reformës zgjedhore sepse pa reformë zgjedhore nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, gjë që e thotë sërish BE-ja. Pa zgjidhjen e krizës politike shqiptarët nuk mund të kenë asnjë mundësi për t’u integruar dhe jo vetëm për të krijuar sigurinë e jetës së tyre, por për klimën e biznesit, për krijimin e klimës së besueshmërisë për realizimin e të gjitha reformave”, deklaroi Kryemadhi.

Kreu i LSI shtoi se “ne si opozitë jemi shumë të qartë që e ardhmja e Shqipërisë është integrimi evropian”.

“99 për qind e shqiptarëve duan të jenë anëtarë të Evropës, sepse janë në Evropë. Edi Rama luajti me ëndrrat e tyre për shkak të karriges së tij dhe mendoj që ka ardhur koha që të jemi shumë racionalë për ta larguar këtë lloj situate që e ka futur Shqipërinë në një rrugë pa kthim. Por ka një dritë jeshile. Drita jeshile është shumë e qartë, ajo që BE-ja ka lënë kushtet e domosdoshme, 9 kushtet e Bundestagut, reformën zgjedhore dhe hartimin e zgjedhjeve të reja parlamentare të menjëhershme, zgjidhjen e krizës politike, ilegjitimitetin e zgjedhjeve të 30 qershorit, krijimin e të gjitha institucioneve të sistemit të drejtësisë, që për hir të së vërtetës janë penguar nga Rama dhe nga grupi i tij”, theksoi Kryemadhi.

Kryemadhi tha se pjesë e agjendës së opozitës janë edhe protestat: “Ne jemi të bindur që mënyra për të paraqitur hapat e opozitës është shumë e qartë. Protestat janë një nga ato. Mos u çudisni, ka për të pasur protesta. Protestat nuk janë me axhendë. Protestat janë me organizim, ne kemi axhendë, integrimin e Shqipërisë në BE”.

Sipas saj, zgjidhja është “të largohet Edi Rama dhe t’i krijohet shansi dhe mundësia shqiptarëve për zgjedhje të lira dhe të ndershme pa ndikimin e bandave kriminale”.

Shkarkoni aplikacionin e A2