Negociatat, Rama: Asgjë nuk ka ndryshuar, së shpejti takohem me Macron

Mos hapja e negociatave ishte temë diskutimi gjatë mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste gjatë kësaj të hëne. Në një komunikim për mediat, pas mbledhjes, kryeministri Edi Rama u shpreh se asgjë nuk ka ndryshuar në trajektoren strategjike të vendit dhe se në ditët në vijim do të takohet dhe me presidentin francez, Macron, kundërshtari kryesor i hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

“Kemi diskutuar për temën e ditës, lidhur me mosmarrjen e vendimit të merituar për Shqipërinë. Kemi rënë dakord që nuk ndryshon asgjë në trajektoren strategjike të vendit, PS dhe qeverisë.  Ndërkohë në ditët në vijim kam një sërë komunikimesh të përcaktuara në axhendë me presidentin e Francës dhe drejtues të vendeve anëtare, për të kuptuar ecurinë e mëtejshme të procesit”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë shtoi se do të vazhdohet çdo ditë me plotësimin e 9 pikave të caktuara nga Bundestagu, pasi kjo është në të mirë të vendit dhe jo të Gjermanisë.

Në aspektin praktik ne jemi të qartë se duhet të vazhdojmë çdo ditë punën sepse edhe nëse do të kishim marrë një “Po”, detyrat janë po ato që të ecim përpara me reformën zgjedhore dhe brenda vitit të adresojmë të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR,  të presim miratimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të gjitha pikat e caktuara nga Bundestagut”, shtoi kryeministri.

Kryeministri Rama nuk e mori në konsideratë kërkesën e kryedemokratit Basha për zgjedhje të parakohshme. Sipas tij, opozita ka punuar fort që negociatat të dështonin, por nuk ja ka arritur.

Shkarkoni aplikacionin e A2