Njihuni me “Blob”, nuk është as kafshë, as bimë, por ka 720 gjini

Një kopsht zoologjik në Paris ka prezantuar për publikun “Blob”-in, një gjallesë njëqelizore që duket si kërpudhë, por sillet si kafshë dhe ka 720 gjini!

Në fakt, “Blob” nuk është as kafshë, as bimë, nuk ka tru, por mund të zgjidhë probleme të ndërlikuara dhe mund të shërojë veten nëse ndahet përgjysmë.

Gjallesa që më shumë ngjan me një myk ose jargë, zyrtarisht quhet “physarum polycephalum” (që përkthehet “jargë me shumë koka”) mund të ndahet në disa organizma të ndryshëm që mund të ribashkohen. Të paktën kështu thuhet në deklaratën për mediat në Parkun Zoologjik të Parisit.

Gjallesa njëqelizore besohet se jeton në planetin tonë për miliarda vite, por për herë të parë është bërë e njohur për publikun në maj 1973, kur një grua nga Teksasi zbuloi një “blob” të verdhë në oborrin e saj. Emri i është vendosur pas një krijese imagjinare protagoniste në një film të vitit 1958 me Steve McQueen, ku “Blob” ishte një krijesë aliene që konsumonte çdo gjë që i dilte përpara.

“Blob” përdoret gjerësisht në eksperimente, por edhe pse nuk ka gojë, stomak apo sy, mund të dallojë ushqimin dhe ta tresë atë.

Shkarkoni aplikacionin e A2