50 vjet nga ndeshja më e dhunshme në histori

Në 22 tetor 1969, Milan ngriti Kupën Ndërkontinentale në një ndeshje kundër Estudiantesit, që konsiderohet si më e dhunshmja në historinë e futbollit.

Skuadra italiane shkoi në Argjentinë pas fitores 3-0 në ndeshjen e parë të zhvilluar në San Siro dhe kur kapiteni Gianni Rivera shënoi gol në La Bombonera, gjërat u nxehën. Situata nuk u qetësua, madje u përkeqësua kur ndeshja u rihap pas dy golave të vendasve që në pjesën e parë.

Pierino Prati, Gianni Rivera dhe Nestor Combin pësuan ndërhyrje të rënda pa top. Ndeshja përfundoi me fytyrën e deformuar të franko-argjentinasit që luante me Milanin, Combin, gjë që nuk e pengoi policinë që ta arrestonte atë pasi mbaroi ndeshja, me akuzën se nuk kishte kryer shërbimin ushtarak. Ai u lirua më pas, kur u sqarua se shërbimin ushtarak e kishte kryer në Francë dhe nuk ishte i detyruar ta kryente edhe në Argjentinë.

Rivera u godit me grusht nga portieri i Estudiantesit Alberto Poletti dhe 3 futbollistë të ekipit argjentinas u arrestuan për dhunën e ushtruar në fushë.

Gjithashtu, Poletti u pezullua përgjithmonë nga futbolli, ndërsa Ramon Suarez, i cili i theu hundën Combinit, u dënua me 5 vite pezullim.

“Isha me fat. Mendova se në atë stadium do të vdisja. Hunda ime u shkatërrua dhe fytyra u deformua. U deshën disa muaj që të luaja sërish futboll. Atë natë e kalova në burg dhe ishte nata më e tmerrshme e jetës sime”, tha për spanjollen AS argjentinasi Combin.

Shkarkoni aplikacionin e A2