Vuçiç për “Der Standard”: Nuk e njohim Kosovën në kufijtë aktualë

“Nuk do ta njohim Kosovën në kufijtë e saj ekzistues”. Kështu shprehet presidenti serb Aleksandër Vuçiç në një intervistë për austriaken “Der Standard”.

Duke pranuar se Bashkimi Europian mund t’ia vendosë si kusht Beogradit njohjen e pavarësisë, kreu i ekzekutivit nuk tregohet njësoj kategorik, kur pyetet mbi mundësinë e ndryshimit të kufijve. Megjithatë, dialogu me Prishtinën, sipas tij, mbetet i rëndësishëm.  

“Nuk e di se çfarë do të ndodhë. Nuk është e sigurt nëse do ta pranojmë Kosovën ndonjëherë. Por, nuk mund t’i mbyllim dyert për dialogun. Të dyja palët duhet të humbin, në mënyrë që të arrihet në një situatë ku të dyja do të fitojnë. Nuk mund të ndodh që ata të marrin të gjitha, njohjen, territoret tona dhe njerëzit tanë. Çfarë fitojmë ne? Ndonjë anëtarësim në BE pas 10 vitesh? Dhe, kush na e garanton neve këtë? A mos do të ndodhë si me Maqedoninë e Veriut?”, u shpreh Vuçiç.

Presidenti serb foli edhe qeverinë e re të Kosovës. Sipas tij dialogu me Albin Kurtin kryeministër do të jetë edhe më i vështirë. Kurti, sipas tij, nuk i lexon fare marrëveshjet e arritura dhe ka bërë deklarata të forta lidhur me çështjen. 

Shkarkoni aplikacionin e A2