Arti gjerman në Galeri 70, Martin Stommel, artisti që pikturon lëvizjen në tablo

Eleganca e vallëzimit, beteja për të shenjuar të bukurën e jetës dhe format që merr trupi njerëzor teksa kërcen janë përpjekja artistike e artistit gjerman Martin Stommel që ekspozon nga kjo e mërkurë në Tiranë.

“Ndonjëherë punoj me modele të caktuara që më ndihmojnë shumë në punën time. Zakonisht i them atyre të kërcejnë. Më ndodh që t’i regjistroj teksa kërcejnë dhe më pas të kap atë sekuencë të trupit të lëvizjes të elegancës që i duhet pikturës. Kështu ka ndodhur kur vendosa të pikturoj portretet e artistëve të cirkut e kështu ka ndodhur edhe me personazhet e këtij cikli artistik. Por ka raste kur nuk punoj me modele, siç është rasti këtu, kur i pash dy fëmijët e mi se si kërcenin “break dance” dhe pashë një energji të jashtëzakonshme në trupat e tyre. Është si një motiv jete ky moment”, shprehet piktori Martin Stommel.

Paqja e brendshme qëndron përballë me format dhe forcën shpërthyese, që Martin Stommel na rrëfen që nga piktura “Rënia e engjëllit” e deri te “Break dance”, që publiku shqiptar ka mundësi t’i shijojë në Galerinë 70, pranë “Toptani Shopping Center”.

“Martin Stommel është artisti perfekt i prezantimit të artit kontemporan në Gjermani. Është shumë i njohur për ciklin e tij të tablove që paraqesin protrete të artistëve të cirkut. Piktura e tij ka një lëvizje dinamike. Këtu kemi tablo të tilla që tregojnë bukurinë e lëvizjes teksa kërcen. Kur galeristi gjerman dhe Galeria 70 te “Toptani” thanë se duhet të sjellim veprat e tij në Tiranë, ne si pranuam menjëherë ta kishim në tetorin gjerman këtë artist në Tiranë. Unë pëlqej shumë këtë pikturë që ndodhet pas meje. Më pëlqen mënyra se si këta djem po kërcejnë “break dance” në mes të rrugës. Ka liri në këtë pikturë. Më pëlqen shumë lëvizja dhe kjo pikturë”, tha Enrico Gunther, Atashe i Kulturës Gjermane në Tiranë.

Artisti gjerman vjen për herë të parë në Tiranë dhe shprehet se nuk e kishte menduar asnjëherë që kryeqyteti shqiptar e donte artin vizual kaq shumë sa edhe në galeritë private, apo që studentët e arteve të kërkonin një bisedë artistike me të. 

Shkarkoni aplikacionin e A2